TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6 ballë që goditi natën mes së dielës dhe së hënës pjesën lindore të Afganistanit, ka arritur në 1.124 persona, sipas raportimeve të Kryqit të Kuq Afagan (degë e Gjysmëhënës së Kuqe), një organizatë humanitare që vepron në rajon.
Sipas të dhënave paraprake, të paktën 3.251 persona janë plagosur, ndërsa mbi 8.000 shtëpi janë shkatërruar nga lëkundjet e forta sizmike.
Tërmeti goditi rajonin pak para mesnatës, në orën 23:47 me orën lokale (22:17 me orën e Greqisë), duke zgjuar me panik qindra mijëra njerëz, që nga Kabuli deri në Islamabad, kryeqyteti i Pakistanit, qindra kilometra larg nga epiqendra.
Pas tërmetit fillestar, janë regjistruar të paktën pesë pasgoditje të forta, përfshirë një me magnitudë 5.2 ballë.
Epiqendra e tërmetit u identifikua 27 kilometra larg qytetit Xhalalabad, kryeqyteti i provincës Nangarhar, me një thellësi vetëm 8 kilometra nëntokë, faktor që shpjegon shkallën e lartë të dëmeve në provincat malore Nangarhar, Kunar dhe Laghman.
Në rajonin Nurgal të provincës Kunar, zonë që mendohet të jetë prekur më rëndë, lëkundjet kanë shkaktuar trauma të thella te banorët lokalë. Sipas dëshmive të banorëve, shtëpi janë shembur mbi gratë dhe fëmijët, duke lënë pas dhjetëra viktima dhe të plagosur.
“Disa u vranë në vend, të tjerë mbetën të plagosur rëndë,” tregon 22-vjeçari Zafar Khan Gojar për AFP, i cili u evakuua me helikopter së bashku me vëllain e tij të plagosur drejt Xhalalabadit.
Në fshatin Wandir, banorët vazhdonin të kërkonin për të zhdukur në rrënojat e shtëpive të rrënuara edhe pas rënies së natës. Ndërkohë, në komunitetin tjetër të vogël Mazar Dara, trupat e viktimave, përfshirë edhe fëmijë, vendoseshin në tokë, të mbështjella me çarçafë të bardhë sipas ritualit islam.
Nga agimi deri në perëndim të diellit, helikopterë të ushtrisë afgane kryen dhjetëra fluturime për të shpërndarë ndihma, për të evakuuar të plagosur dhe për të rikthyer trupat e të vdekurve, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Afganistanit.
Disa fshatra në zonat më të goditura mbeten të paarritshme, për shkak të rrëshqitjeve të dheut që kanë bllokuar rrugët, tha për agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përmes një deklarate nga zyra e tij në Nju Jork, bëri të ditur se Kombet e Bashkuara dhe partnerët në Afganistan janë në koordinim me autoritetet lokale për të vlerësuar nevojat emergjente dhe për të shpërndarë ndihmat urgjente. Po ashtu, është liruar një shumë prej 5 milionë dollarësh nga fondi i emergjencave të OKB-së (CERF) për t’iu përgjigjur situatës.
Ky është tërmeti i dytë shkatërrues me të cilin përballet Afganistani që nga marrja e pushtetit nga talibanët në gusht të vitit 2021. Në vitin 2023, në provincën Herat, në kufi me Iranin, një tjetër tërmet me magnitudë 6.3 ballë kishte shkaktuar mbi 1.500 viktima dhe kishte shkatërruar 63.000 shtëpi, duke u cilësuar si më i rëndi në vend në më shumë se 25 vjet.