BOTA, 8 Tetor 2022, 11:09

“Rrezikoni që të arrestoheni”, Franca thirrje qytetarëve të saj: Largohuni nga Irani!

“Rrezikoni që të arrestoheni”, Franca thirrje

Franca i ka bërë thirrje qytetarëve të saj në Iran që të largohen nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur, pasi rrezikojnë të arrestohen në mënyrë arbitrare. “Çdo vizitor francez, përfshirë ata me shtetësi të dyfishtë, ka një rrezik të lartë arrestimi, ndalimi arbitrar dhe gjykimi të padrejtë”, tha Ministria e Jashtme në faqen e saj të internetit.

Parisi këtë javë akuzoi Iranin për “praktika diktatoriale” dhe thotë se dy shtetas francezë po mbahen peng pasi një video u publikua të enjten në të cilën ata dyshohet se rrëfenin se ishin spiunë. Teherani fajëson “armiqtë e huaj” për protestat dhe trazirat që kanë vazhduar prej javësh. Më herët të premten, ministria e jashtme e Francës i bëri thirrje Iranit të lirojë dy shtetasit francezë.

Parisi tani planifikon t’i japë pas vdekjes titullin qytetar nderi Mahsha Amini, gruas iraniane që vdiq pasi u arrestua nga policia e moralit, njoftoi kryebashkiakja e qytetit Ann Hidalgo. Kryebashkiakja e Parisit tha gjithashtu se do të propozonte riemërtimin e një zone të qytetit Amini, në mënyrë që askush të mos e harrojë.

Raporti përfundimtar i ekzaminuesit mjekësor iranian mbi shkakun e vdekjes së 22-vjeçares iraniane Mahsha Amini zbuloi se vdekja e saj “nuk ishte shkaktuar nga një goditje në kokë dhe gjymtyrë”, por nga dështimi i shumëfishtë i organeve, shkaktuar nga hipoksia cerebrale dhe e lidhur për një problem të mëparshëm shëndetësor të saj dhe konkretisht me “një operacion kirurgjik për heqjen e një tumori në tru në moshën 8-vjeçare”.