BOTA, 24 Mars 2026, 10:08

Reforma në drejtësi/ Gjenerata Z “fundos” Melonin në referendum, 67% e të rinjve morën pjesë në votim dhe shumica votuan “Jo”

Reforma në drejtësi/ Gjenerata Z “fundos” Melonin në

Referendumi i fundit në Itali ka treguar një mobilizim të jashtëzakonshëm të të rinjve. Ndërsa pjesëmarrja totale arriti në 58,9%, tek të rinjtë 18–28 vjeç, Gjenerata Z, pjesëmarrja ishte 67%, dhe shumica votuan ‘Jo’ me 58,5%.

Rezultatet tregojnë se qytetarët më të arsimuar dhe të diplomuar ishin më të vendosur për të refuzuar ndryshimet, ndërsa punonjësit e zakonshëm u ndanë dhe mbështetja për “Po” ishte më e lartë mes amviseve. Në qendër të spektrit politik, mbështetja për ligjin arriti vetëm 31%.

Pjesëmarrja e lartë, sidomos mes të rinjve, vjen si pasojë e politizimit të referendumit. Tema teknike e reformës nuk duket se ka tërhequr interesin kryesor të votuesve; vendimi i shumicës u bazua më shumë mbi pasojat politike sesa mbi përmbajtjen specifike të reformës. Një pjesë e votuesve që nuk kishin marrë pjesë në zgjedhjet e 2022-ës dhe në ato europiane të 2024-ës u mobilizuan dhe votuan “Jo”, duke rritur ndikimin e rezultateve.

Analiza sipas moshës dhe statusit shoqëror tregon se pjesëmarrja më e lartë është mes studentëve dhe të rinjve, ndërsa më e ulëta tek të moshuarit dhe të pakënaqurit ekonomikisht. Për Gjeneratën Y (29–44 vjeç) u regjistrua abstensioni më i lartë, me 47,5% të mosvotuesve, gjithmonë me një përparësi për “Jo” prej 54,8%.

Nga pikëpamja politike, mobilizimi ishte i dukshëm tek partitë e majta dhe të djathta, ndërsa më pak aktivizim u pa tek qendra dhe qendror-djathtas. Vetëm në Partinë Demokratike u regjistrua një diskurs i vogël pro-“Po” (rreth 9%), ndërsa te Mbështetësit e M5S rreth 17% votuan “Po”, megjithëse udhëheqësi i tyre mbështeste “Jo”. Në qendër-djathtas, disa zhvendosje u panë mes votuesve të Lega dhe Forza Italia, respektivisht me 12% dhe 10% pro-“Jo”.

Analiza sipas të ardhurave dhe statusit social tregon se vota “Jo” dominon tek grupet më të arsimuara dhe ekonomisht të privilegjuara, ndërsa “Po” është më e popullarizuar tek amviset dhe ata me nivel më të ulët arsimor.

Dështimi i qeverisë dhe veçanërisht i kryetares së Këshillit, Giorgia Meloni, është i qartë sipas Corriere. Pozicioni i saj në muajt e fundit ka reflektuar sfida të shumta, përfshirë kushtet e vështira ekonomike, rritjen e kostove jetësore dhe tensionet ndërkombëtare.

Sa e pengon Melonin dështimi i reformës në drejtësi? Kryeministrja e quajti “mundësi të humbur për modernizimin e Italisë”

Reforma e drejtësisë që planifikonte kryeministrja italiane Meloni dështoi. Në referendum thuajse 54 për qind votuan kundër.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dështoi me planet e saj për të arritur përmes një referendumi popullor një reformë të thellë të drejtësisë italiane. Sipas rezultatit paraprak përfundimtar, rreth 54 për qind e italianëve e refuzuan reformën, dhe vetëm rreth 46 për qind votuan pro saj.

Meloni e pranoi humbjen dhe tha në një video në kanalin e saj në Instagram: “Italianët vendosën. Dhe ne do ta respektojmë këtë vendim.” Kryetarja e partisë Fratelli d’Italia (Vëllezërit e Italisë) e quajti përfundimin e referendumit si një “mundësi të humbur për modernizimin e Italisë”.

Megjithatë ajo theksoi se do të vazhdojë “punën për të mirën e kombit”. Para referendumit Meloni e kishte përjashtuar mundësinë e marrjes së përgjegjësive personale në rast humbjeje.

Synimi kufizimi i vetëqeverisjes së gjyqtarëve
Reforma ishte një nga projektet kryesore të qeverisë italiane dhe parashikonte ndryshime në disa nene të Kushtetutës italiane. Një nga pikat kryesore ishte ndarja e karrierave të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, siç është e zakonshme në shumicën e vendeve evropiane.

Gjithashtu, parashikohej krijimi i organeve të reja të vetëqeverisjes për gjyqtarët dhe prokurorët. Në përbërjen e këtyre organeve synohej të merrte pjesë edhe parlamenti, çka do t’i jepte politikës më shumë ndikim në vendimet për personelin.

Kundërshtarët shohin rrezik për pavarësinë e drejtësisë
Meloni dhe aleatët e saj e konsideronin këtë reformë si një hap për t’i bërë gjyqtarët dhe prokurorët më të pavarur nga ndikimet politike dhe për ta bërë sistemin e drejtësisë në tërësi më efikas. E djathta italiane pretendon prej dekadash se pjesë të mëdha të drejtësisë mbajnë anën e së majtës.

Kundërshtarët, kryesisht opozita italiane, paralajmëroi për një ndërhyrje në pavarësinë e drejtësisë. Ata e akuzuan Melonin se synonte të rrisë ndikimin e saj mbi sistemin gjyqësor.

Sipas tyre sidomos prokuroria mund të bëhej pre e ndikimit politik, ndërsa problemet strukturore si zgjatja e proceseve gjyqësoredhe mbipopullimi i burgjeve do të mbeteshin të pazgjidhura.

Humbje e rëndë për Melonin
Për Melonin rezultati është një humbje e rëndë dhe kjo vetëm një vit e gjysmë para zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Referendumi konsiderohej gjithashtu si një test për zgjedhjet e planifikuara për vjeshtën e vitit 2027.

Këtë e nënvizon edhe profesori i së drejtës kushtetuese, Nicola Lupo, nga Universiteti Luiss në Romë. Sipas Lupos, referendumi shihej nga italianët i lidhur ngushtë me Melonin dhe qeverinë e saj. Prandaj, “Jo”-ja në referendum është më shumë se një refuzim i reformës së drejtësisë.

Megjithatë aktualisht Meloni dhe partia e saj, Fratelli d’Italia, vazhdojnë të jenë shumë përpara të gjitha partive të tjera në sondazhe. Pjesëmarrja në votime ishte shumë e lartë për një referendum, rreth 58 për qind, ndërsa të drejtën e votës e kishin mbi 46 milionë qytetarë.