BOTA, 22 Shtator 2022, 10:48

Putini i fton rusët në luftë, por shihni reagimin e djalit të zëdhënësit të tij

Putini i fton rusët në luftë, por shihni reagimin e djalit
Presidenti Putin dhe zëdhënësi i tij, Peskov

Djali i Dmitry Peskov, zëdhënësit të Kremlinit dhe një prej njerëzve më të afërt të Putinit, ishte “objektivi” i një YouTuberi të famshëm rus dhe gjatë një bisede live ai tha se nuk dëshiron të mobilizohet në radhët e ushtrisë ruse gjatë pushtimit të Ukrainës, duke zbuluar se fëmijët e elitës politike janë të përjashtuar nga vendimi. 

32-vjeçari Nikolay Peskov, djali i zëdhënësit të Putinit, Dmitri Peskov, ka marrë një telefonatë të mërkurën nga YouTuber-i Dmitri Nizovstev, i cili iu prezantua rrejshëm si ushtarak.

Nizovstev i tha Peskovit se po e thërriste atë për mobilizim dhe se ai duhej t’i përgjigjej thirrjes, pas së cilës Peskov belbëzoi dhe filloi të shpjegonte pse nuk do të shkonte në luftë.

Ai tha se do të gjente lidhje në Kremlin që të mos mobilizohej.

Biseda mes Peskov dhe Nizovstev është regjistruar drejtpërdrejt në YouTube, një kanal i afërt me liderin e opozitës ruse, Alexei Navalny.

Youtuber: “Përshëndetje. Le të mos e mbyllim telefonin, si herën e kaluar.”

Peskov: “Pse po më thërret…?”

Youtuber: “Sepse zoti Peskov, sot ju dërguam një ftesë për rekrutim në mënyrë elektronike. Por ju nuk jeni përgjigjur ende.”

Më pas ai e informoi Peskovin se duhej të vinte në zyrën e rekrutimit në orën 10 të mëngjesit të nesërmen.

Djali i Peskovit u përgjigj troç: “Sigurisht që nuk do të jem atje në orën 10. Duhet ta kuptoni që unë jam zoti Peskov. Nuk është korrekte që unë të jem atje (në zyrën e rekrutimit).”

Ai më pas tha se do të “merrej me këtë çështje në një nivel tjetër”, duke iu referuar lidhjeve të tij direkte në Kremlin.