BOTA, 15 Qershor 2026, 17:57

Publikohen telefonatat tronditëse pas rënies së themeluesit të Mango-s në humnerë, djali kërkonte ndihmë mes lotësh: Ju lutem, dërgoni një ambulancë!

Publikohen telefonatat tronditëse pas rënies së themeluesit

Janë publikuar telefonatat e emergjencës që Jonathan Andic kreu menjëherë pas aksidentit fatal të babait të tij, Isaac Andic, themeluesit të gjigantit të modës Mango, i cili humbi jetën pasi ra në një humnerë në zonën malore të Montserratit, në Spanjë, në dhjetor të vitit 2024.

Pjesë nga bisedat telefonike u transmetuan këtë të hënë nga radioja katalanase Catalunya Ràdio, duke zbuluar momentet dramatike që pasuan ngjarjen tragjike.

Në telefonatën e parë drejt numrit të emergjencës 112, Jonathan Andic dëgjohet tejet i tronditur, duke kërkuar ndihmë me zë të dridhur dhe mes lotësh.

“Kam nevojë për ndihmë. Babai im ra. Ju lutem, dërgoni dikë, dërgoni një ambulancë, dërgoni dikë, ju lutem”, dëgjohet të thotë ai.

Gjatë komunikimit me shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit e Katalonjës, ai konfirmon se ndodhej me të atin në momentin e incidentit dhe se nuk ishte në gjendje ta shihte më pasi kishte rënë në humnerë.

Në një tjetër telefonatë, një operatore i kërkon të dërgojë vendndodhjen përmes WhatsApp-it, për të ndihmuar ekipet e shpëtimit të lokalizonin sa më shpejt vendin e ngjarjes. Ndërkohë, autoritetet po organizonin operacionin e kërkim-shpëtimit.

Më prekëse është biseda me një infermiere të shërbimit të urgjencës, e cila përpiqet ta qetësojë deri në mbërritjen e ndihmës.

“Nuk e shoh, ka rënë në humnerë”, thotë Jonathan Andic, ndërsa pak çaste më vonë shton: “Problemi është se nuk e di ku ndodhet”.

Sipas mediave spanjolle, këto regjistrime audio janë pjesë e dokumentacionit të depozituar në Gjykatën e Apelit të Barcelonës nga avokati Cristóbal Martell, në kuadër të një ankimi ndaj një vendimi gjyqësor që lidhet me çështjen.

Në një prej telefonatave, djali i themeluesit të Mango-s dëgjohet sërish duke kërkuar ndihmë urgjente: “Kam nevojë për ndihmë. Babai im ra. Ndodhemi në Collbató”.

Kur operatori e pyet nëse i ati kishte rrëshqitur apo ishte penguar, ai përgjigjet mes ngashërimash: “Mendoj se ka rënë në një humnerë. Ju lutem, dërgoni dikë, dërgoni një ambulancë”.

Ngjarja tronditi opinionin publik në Spanjë dhe botën e biznesit, pasi Isaac Andic konsiderohej një nga sipërmarrësit më të suksesshëm në industrinë ndërkombëtare të modës.