BOTA, 26 Gusht 2025, 19:27

Protesta në Tel Aviv/ Izraelitët bllokojnë autostradat, kërkojnë armëpushim në Gaza

Protesta në Tel Aviv/ Izraelitët bllokojnë autostradat,

Izraelitët kanë nisur sot një ditë të madhe proteste kombëtare, duke bllokuar autostrada, djegur goma dhe ndërprerë trafikun në Tel Aviv. Protestuesit kërkojnë marrëveshje armëpushimi në Gaza që do të mundësonte lirimin e të zënëve.

Protesta, e quajtur "Dita e Luftës", u organizua nga familjarët e të zënëve dhe Forumi për të Zënët dhe të Zhdukurit, dhe filloi me vendosjen e flamujve izraelitë para degës së ambasadës amerikane.

Ndërkohë, kabineti i sigurisë izraelit pritet të mblidhet për të diskutuar një sulm të ri të madh në qytetin e Gazës, teksa Izraeli ende nuk ka kthyer përgjigje zyrtare për propozimin e fundit të armëpushimit që u pranua nga Hamasi gati një javë më parë.

CNN vlerëson se zhvendosja e protestave në mesjavë – zakonisht mbahen në fundjavë – tregon zemërimin në rritje të qytetarëve ndaj qeverisë Netanjahu.

Ndërkohë, Izraeli po përballet me kritika ndërkombëtare për sulmin në spitalin Nasser, ku u vranë të paktën 20 persona, përfshirë pesë gazetarë, në një sulm që u cilësua si “i dyfishtë”, duke goditur fillimisht spitalin dhe më pas ata që mbërritën për të ndihmuar.

Situata për gazetarët në Gaza mbetet kritike, pasi Izraeli nuk lejon raportim të pavarur ndërkombëtar nga enklava.