TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Paralajmërimi i ministrit të mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu se Ukraina po planifikon përdorimin e bomba radioaktive mbi ushtrinë e Moskës, ka ngritur shqetësime tek Perëndimi.
SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca i kanë konsideruar këto pretendime si pretekst të Rusisë për të fajësuar Ukrainën dhe për të përshkallëzuar më tej konfliktin drejt përdorimit të armëve bërthamore.
Ndërkohë analistë të politikës së jashtme thonë se mesazhi i Rusisë është që “Ukraina të përgatitet për përshkallëzimin e luftës”.
“Ukraina nuk ka as nevojën dhe as aftësinë për të përdorur një bombë të tillë. Është Rusia ajo që po humbet. Shqetësimi është se Rusia mund ta përdorë si pretekst, pretendimin se Ukraina është e gatshme të përdorë një bombë me mbetje radioaktive” – tha Nigel Gould-Davies, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.
Deklarata e Shoigu se lufta po bëhet gjithashtu më “e pakontrolluar” është “gjithashtu një lloj formulimi që synon të frikësojë njerëzit,” shtoi Gould-Davies.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar në orët e para të mëngjesit të së hënës në Evropë, ministrat e jashtëm të Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së kundërshtuan pretendimet e Shoigu-s, i cili tha se Ukraina po bashkëpunon me Perëndimin për përdorimin e këtyre bombave.
Pas deklaratës së përbashkët të 3 vendeve anëtare të NATO-s, Rusia vazhdoi t’i përmbahej skenarit të saj. Ministria e saj e Mbrojtjes tha se ka kapacitete për t’i bërë ballë kontaminimit në raste se përdoren bombat radioactive. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov më pas tha se Moska do t’i paraqesë zyrtarisht akuzat e saj në OKB. Kreu i forcave të armatosura ruse Valery Gerasimov zhvilloi telefonata me homologët e tij britanikë dhe amerikanë për të diskutuar pretendimet.
Shtetet e Bashkuara nuk vlerësojnë se Rusia ka vendosur të përdorë armë bërthamore, tha të hënën një zyrtar i lartë ushtarak amerikan.
“Ne ende nuk kemi parë asnjë provë konkrete që të tregojë se rusët kanë marrë një vendim për të përdorur armë bërthamore,” tha zyrtari, duke shtuar se SHBA po vazhdon të monitorojë situatën nga afër.
Dy zyrtarë perëndimorë deklaruan për Financial Times se se ata besonin se kërcënimet ishin një mjet për të ngritur frikën në perëndim për një ngjarje të mundshme bërthamore në Ukrainë, duke pasur parasysh natyrën e orkestruar të paralajmërimit dhe për të testuar se si do të përgjigjeshin kryeqytetet perëndimore.
Një bombë radioaktive është një eksploziv konvencional i lidhur me material radioaktiv që ndot një zonë rreth vendit të shpërthimit me rrezatim, por teknikisht nuk është një armë bërthamore.
Pavel Podvig, një studiues i lartë në Institutin e OKB-së për Kërkimin e Çarmatimit në Gjenevë, tha se do të kishte pak përdorim në fushën e betejës.
“Kjo lloj bombë është ndoshta mënyra më pak efikase për të shpërndarë këto materiale përreth. Po flasim për dhjetëra metra në diametër ndotjeje”, tha ai.
“Edhe atëherë, askush nuk do të ishte në rrezik të menjëhershëm në kuptimin që, mirë, nuk ka asgjë të mirë të futesh në një re radioaktive, por nuk është se dikush do të merrte dozat që do të çonin në dëmtim të menjëhershëm, për të mos përmendur vdekjen,” Podvig./ Përkthyer nga Financial Times