BOTA, 29 Korrik 2025, 22:54

Përmbytje të mëdha në verilindje të Nigerisë, raportohet për viktima dhe mijëra qytetarë të pastrehë

Përmbytje të mëdha në verilindje të Nigerisë,

Të paktën 23 persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë kanë mbetur të pastrehë pas përmbytjeve të mëdha që goditën verilindjen e Nigerisë, të shkaktuara nga reshjet e dendura të ditëve të fundit.

Sipas raportimeve nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), dhjetëra persona janë plagosur në qytetin Yola, pasi disa lagje të kryeqytetit të shtetit Adamawa u përmbytën të dielën.

Autoritetet nigeriane kanë ndërmarrë operacione kërkimi dhe shpëtimi, ndërsa janë ngritur strehime të përkohshme për banorët e prekur.

Gjithashtu, autoritetet kanë paralajmëruar për reshje të mëtejshme dhe u kanë bërë thirrje banorëve në zonat e rrezikuara të zhvendosen drejt vendeve më të sigurta.

Reshje të dendura shoqërojnë zakonisht Nigerinë, vendin më të populluar të Afrikës, gjatë sezonit të shirave që zgjat nga qershori deri në nëntor. Për shkak të infrastrukturës së dobët, përmbytjet shpesh rezultojnë fatale.

Që nga fillimi i këtij sezoni të shirave, më shumë se 200 persona kanë humbur jetën në të gjithë vendin, me numrin më të lartë të viktimave të regjistruar në shtetin e Nigerit, në pjesën jugperëndimore të vendit.

Në vitin 2024, më shumë se 300 persona u raportuan të vdekur dhe mbi 1 milion banorë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre në të paktën 34 nga 36 shtetet e Nigerisë, duke e bërë këtë sezon reshjesh ndër më vdekjeprurësit që ka përjetuar vendi në dekadat e fundit, sipas raportit të OCHA.