BOTA, 29 Tetor 2023, 16:08

Netanyahu kërkon falje dhe fshin postimin ku fajësoi inteligjencën izraelite për sulmin e Hamasit

Netanyahu kërkon falje dhe fshin postimin ku fajësoi

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkoi falje të dielën dhe fshiu një postim në të cilin kërkonte të fajësonte zyrtarët e sigurisë për sulmin e papritur të 7 tetorit nga Hamasi.

“Kam gabuar. Gjërat që thashë pas konferencës për shtyp nuk duhet të ishin thënë dhe unë kërkoj falje për këtë”, ka thënë Netanyahu në X.

Ai u dha “mbështetje të plotë” krerëve të shërbimeve të sigurisë dhe atyre që luftojnë në vijën e parë të frontit. Së bashku do të fitojmë”, ka shkruar ai.

Bëhet fjalë për një postim të shtunën vonë, përmes të cilit kryeministri pretendoi se nuk ishte paralajmëruar nga shefat e sigurisë për një sulm të afërt të Hamasit.

“… Në asnjë rrethanë dhe në asnjë fazë nuk u paralajmërua kryeministri Netanyahu për qëllimet e luftës të Hamasit”, lexohej në postimin origjinal në Twitter, i postuar pak pas orës 1 të mëngjesit me orën lokale.

“Përkundrazi, të gjithë zyrtarët e mbrojtjes, duke përfshirë krerët e Drejtorisë së Inteligjencës dhe Shin Bet, vlerësuan se Hamasi ishte i frenuar. Ky ishte vlerësimi i dorëzuar herë pas here kryeministrit dhe kabinetit nga të gjitha subjektet e mbrojtjes dhe komunitetet e inteligjencës deri në shpërthimin e luftës”, përfundonte deklarata e fshirë.

Komentet e tij, të cilat erdhën pas një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe ministrin Benny Gantz, nxitën kritika të ashpra.

Udhëheqësi i opozitës dhe ish-kryeministri Yair Lapid tha se “Netanyahu ka kaluar një vijë të kuqe” dhe se komentet e tij do të dobësonin ushtrinë.

Kreu i partisë së Unitetit Kombëtar Benny Gantz, i cili iu bashkua qeverisë së unitetit të Netanyahut pas sulmit të Hamasit, kritikoi gjithashtu deklaratën.

“Kur jemi në luftë, udhëheqja duhet të tregojë përgjegjësi, të vendosë të bëjë gjërat e duhura… Çdo veprim apo deklaratë tjetër dëmton aftësinë e popullit për të qenë bashkë dhe forcën e tyre. Kryeministri duhet të tërheqë deklaratën e tij”, tha ai.