BOTA, 8 Gusht 2025, 21:19

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit: Kritikat ndaj planit për të pushtuar Gazën, nuk do ta dobësojnë vendosmërinë tonë

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit: Kritikat ndaj planit për të

Ministri i mbrojtjes i Izraelit është kundërpërgjigjur ndaj vendeve që dënojnë dhe kërcënojnë me sanksione – për shkak të planeve të Izraelit për të marrë kontrollin e Gazës, sipas BBC.

Duke shkruar në X, Israel Katz tha se kritikët nuk do ta dobësonin vendosmërinë e Izraelit për të mposhtur Hamasin, duke këmbëngulur se grupi i armatosur palestinez ende përbën një kërcënim për sigurinë e Izraelit.

Katz tha se qeveria është e vendosur të arrijë qëllimet e luftës dhe Forcat Mbrojtëse të Izraelit po përgatiten të zbatojnë planin.

“Kanë ikur ditët kur hebrenjtë nuk mbronin veten. Kjo është koha që lidershipi të marrë vendime”, tha Katz.

“Ne duhet të jemi të denjë për ushtarët tanë heroikë, të rregullt dhe rezervistë, të cilët po luftojnë në tunelet e Gazës kundër përbindëshave të Hamasit, për familjet e të rrëmbyerve që presin të dashurit e tyre, për familjet e martirëve që dhanë jetën e tyre për shenjtërinë e Zotit dhe për të gjithë të plagosurit që luftuan si luanë për të mbrojtur atdheun”, tha ai.

Përshkallëzimi i konfliktit është kritikuar nga OKB-ja dhe disa udhëheqës botërorë, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë – kjo e fundit ka pezulluar eksportet ushtarake drejt Izraelit.

Ndërkohë, Hamasi është zotuar për rezistencë të ashpër.

Në Gazë, palestinezët kanë frikë nga shkatërrimet e mëtejshme dhe zhvendosjet – shumë prej tyre janë të zemëruar jo vetëm me Izraelin, por edhe me Hamasin.