BOTA, 7 Gusht 2025, 21:59

Ministrja britanike për të pastrehët jep dorëheqjen pasi rriti çmimin në banesën që linte me qira...

Ministrja britanike për të pastrehët jep dorëheqjen pasi

Ministrja britanike, Rushanara Ali, ka dhënë dorëheqjen nga posti i ministres për çështjet e strehimit, ka konfirmuar Downing Street.

Lëvizja vjen pasi ajo kishte rritur qiranë e një banese në pronësi të saj, vetëm pak javë pas përfundimit të kontratës së qiramarrësve të mëparshëm.

Organizata bamirëse që merren me çështjet e të pastrehëve dhe politikanë të opozitës kishin kërkuar dorëheqjen e saj.

Në një letër drejtuar kryeministrit, ajo tha se të qëndruarit në këtë post do të ishte “një shpërqendrim nga puna ambicioze e këtij Qeverie”.

Sipas një raporti të publikuar fillimisht nga The i Paper, katër qiramarrës që banonin në një shtëpi të Ali në lindje të Londrës morën në nëntor një email ku u jepej njoftim katërmujor se kontrata e tyre nuk do të rinovohej.

Megjithatë, prona u rishfaq për qira pak pas largimit të tyre, me një çmim 700 paund më të lartë në muaj.

Në letrën drejtuar kryeministrit, Ali shkroi: “Me zemër të rënduar po ju paraqes dorëheqjen time si ministre.”

Duke theksuar se “në çdo moment kam ndjekur të gjitha kërkesat ligjore përkatëse”, ajo shtoi: “Besoj se i kam marrë përgjegjësitë dhe detyrat e mia seriozisht, dhe faktet e tregojnë këtë. Megjithatë, është e qartë se vazhdimi në detyrë do të ishte një shpërqendrim nga puna ambicioze e qeverisë. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqjen nga posti im ministror.”

Duke reaguar ndaj dorëheqjes së saj, kryeministri Sir Keir Starmer e falënderoi për punën e bërë, të cilën e cilësoi si “të përkushtuar”.