TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një gjykatë në Mianmar, një vend nën sundim ushtarak, dënoi të premten me shtatë vjet burg ish-udhëheqësen e vendit, Aung San Suu Kyi, nën akuza për korrupsion. Ky është zhvillimi më i fundit në një varg çështjesh penale të ngritura ndaj saj, që pas rrëzimit me forcë nga pushteti në shkurt 2021. Me dënimin e fundit, zonja Suu Kyi përballet me 33 vjet burg.
Dënimet e mëparshme u bazuan në shtatë akuza të tjera për korrupsion.
Shtadhjetë e shtatë vjeçarja Suu Kyi është dënuar edhe për disa vepra të tjera, përfshirë importimin dhe përdorimin e paligjshëm të radio-marrëseve, shkeljen e masave kufizuese lidhur me koronavirusin, shkeljen e ligjit mbi sekretet zyrtare, si dhe rebelim e manipulim të zgjedhjeve.
Mbështetësit dhe analistët e pavarur thonë se akuzat e shumta kundër Aung San Suu Kyi-së dhe aleatëve të saj, janë një përpjekje për të legjitimuar marrjen e pushtetit nga ushtria, duke e eliminuar atë nga politika përpara zgjedhjeve të pritshme të vitit 2023.
Vendimi i së premtes u bë i ditur nga një zyrtar i cili këmbënguli në ruajtjen e anonimitetit, nga frika se mos ndëshkohej prej autoriteteve. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat, diplomatët dhe publikun dhe avokatët e saj u ndaluan me urdhër gjykate, të flisnin mbi këtë çështje. /VOA