BOTA, 16 Tetor 2023, 09:49

Lufta/ Ushtria izraelite përgatitet për sulm tokësor, kalimi Gaza-Egjipt mbetet i mbyllur, Kajro kërkon siguri

Lufta/ Ushtria izraelite përgatitet për sulm tokësor, kalimi

Ndërsa trupat izraelite po përgatiten për një sulm të mundshëm tokësor, kalimi kufitar midis Gazës dhe Egjiptit vijon të mbetet i mbyllur.

Të hënën e 16 Tetorit, Izraeli konfirmoi se nuk ishte zbatuar një armëpushim në jug të Gazës, ndonëse burimet e sigurisë në Egjipt thanë se ishte arritur një marrëveshje për të lejuar të huajt të dilnin nga enklava e rrethuar palestineze dhe të silleshin ndihma për ta.

Bombardimet e Gazës të sunduar nga Hamasi vazhduan gjatë gjithë natës, ndërsa banorët thonë se ishte goditja më e rëndë deri tani në nëntë ditë konflikti.

Ndërsa një krizë humanitare përfshiu Gazën, dy burime egjiptiane të sigurisë thanë se Izraeli kishte rënë dakord të ndalonte bombardimet e tij në Gazën jugore.

“Kalimi kufitar Rafah i kontrolluar nga Egjipti pritej të rihapte për të lejuar që mbajtësit e pasaportave të huaja të largoheshin”, thanë ata.

Megjithatë, raportet për një armëpushim të përkohshëm në Gazën jugore duket se janë anuluar shpejt nga zyra e kryeministrit izraelit.

Burime të BBC-së në Kajro flasin për një marrëveshje në parim për një armëpushim të përkohshëm. Por duket se ka ende çështje të vështira për t’u zgjidhur.

Egjiptianët e kanë bërë të qartë se nuk do ta hapin kalimin derisa të ketë garanci për sigurinë e stafit të tyre.

Izraeli dëshiron të inspektojë të gjithë kamionët që udhëtojnë në Gaza për t’u siguruar që nuk mbajnë armë.