TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Teherani reagon me tone të ashpra ndaj Kombeve të Bashkuara, pas rikthimit të sanksioneve ndërkombëtare për shkak të dështimit në përmbushjen e angazhimeve bërthamore.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i ka dërguar një letër zyrtare Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ku kërkon ndalimin e çdo mekanizmi për zbatimin e sanksioneve ndaj vendit të tij.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, Araghchi shkruan:
“Ju bëjmë thirrje të parandaloni çdo përpjekje për të ringjallur mekanizmat e sanksioneve, përfshirë Komitetin e Sanksioneve dhe Grupin e Ekspertëve. Irani nuk do të njohë asnjë përpjekje për të zgjatur, ringjallur ose zbatuar sanksionet e OKB-së.”
Kjo deklaratë vjen vetëm pak orë pasi sanksionet e OKB-së ndaj Iranit u rivendosën në mënyrë zyrtare, saktësisht 10 vjet pas heqjes së tyre në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Rivendosja e sanksioneve u bë përmes mekanizmit të njohur si “snapback”, i cili lejon rikthimin automatik të sanksioneve nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, në rast se Irani nuk respekton detyrimet e tij bërthamore.
Shtetet evropiane (Franca, Gjermania dhe Britania), të mbështetura nga SHBA, e akuzojnë Iranin se ka shkelur thuajse të gjitha angazhimet e marrëveshjes, përfshirë pasurimin e uraniumit mbi nivelet e lejuara, si dhe mospërputhjen me inspektimet ndërkombëtare.