BOTA, 8 Qershor 2025, 17:18

Kriza e emigracionit në SHBA, Garda Kombëtare mbërrin në Los Anxhelos! Autokolonat ushtarake pritet të zbatojnë dëbimet masive

Kriza e emigracionit në SHBA, Garda Kombëtare mbërrin në Los

Situata në SHBA po përshkallëzohet ndjeshëm lidhur me krizën e emigracionit, ndërsa në Kaliforni dhe veçanërisht në Los Anxhelos kanë mbërritur forcat e para të Gardës Kombëtare, pas një urdhri të dhënë nga presidenti Donald Trump për zbatimin e planit të tij për dëbime masive.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale dhe mediat amerikane tregojnë mbërritjen e autokolonave ushtarake në qytet, duke rritur ndjeshëm klimën e pasigurisë dhe shqetësimit në komunitetet e emigrantëve.

Vendimi i Trump për ta vendosur Gardën Kombëtare nën kontroll federal përmes Titullit 10 të Kodit të SHBA-ve konsiderohet i pazakontë, pasi ajo zakonisht funksionon nën drejtimin e autoriteteve shtetërore. Ky precedent është përdorur më parë në raste të rralla, si gjatë trazirave racore në vitet ’60, vrasjes së Martin Luther King Jr., apo trazirave në Los Anxhelos në vitin 1992.

Sipas CNN, ky është rasti i parë që një president federalizon Gardën Kombëtare që prej trazirave të vitit 1992, kur u shpërthyen protesta të dhunshme pas lirimit të katër policëve të akuzuar për rrahjen e Rodney King, një afro-amerikan i paarmatosur.

Vendimi i Trump po krijon përçarje të mëdha mes autoriteteve lokale në Kaliforni dhe administratës qendrore. Guvernatori i Kalifornisë dhe zyrtarët vendorë kanë kritikuar qasjen e re si të rrezikshme dhe provokuese, duke paralajmëruar pasoja të rënda për rendin publik dhe sigurinë e komuniteteve të emigrantëve.

Tensionet pritet të rriten në ditët në vijim, ndërsa masat për zbatimin e dëbimeve masive po përgatiten për zbatim në disa shtete.