BOTA, 30 Maj 2025, 09:10

Konflikti/ Nga 'bashkëpresident' te ndërprerja e financimit: Prapa kuintave të lamtumirës së Musk me Trump

Konflikti/ Nga 'bashkëpresident' te ndërprerja e financimit:

Shënimi i mëngjesit nga Uashingtoni e faqes Politico.com hapet duke përmendur zhurmën e tapave të shampanjës që shpërthenin në kryeqytet, pas njoftimit për largimin e Elon Musk nga qeveria e Donald Trump.

Sipërmarrësi e kishte komunikuar prej kohësh tërheqjen e tij graduale: qëndrimi në administratë për më shumë se 130 ditë do ta bënte atë një punonjës me kohë të plotë me të gjitha detyrimet për transparencë dhe rregullim të konflikteve të interesit, të cilave ai nuk donte t’u nënshtrohej.

Pra, në dukje, ndarje konsensuale, jo përçarje. Me Musk që mburret me sigurinë e tij: farat e mbjella me Doge-n, ministrinë e tij të Efiçencës, do të japin fryte në uljen e burokracisë dhe të shpërdorimeve.

Por, duke shkatërruar tërësisht sektorë të tërë të administratës publike, Elon u vu kundër, përveç personelit, edhe gjysmës së qeverisë dhe një pjese të madhe të Kongresit, përfshirë republikanët. Rënia në indeksin e popullaritetit bëri që edhe vetë Trump të ndalonte së lavdëruari me superlativa.

Ëndrra e Musk për të shkurtuar shpenzimet publike kishte dështuar prej kohësh.

Tani shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë me atë dikaster që duhej të transformonte makinerinë e shtetit, i përbërë nga njerëz të përzgjedhur e të punësuar prej tij. Doge tashmë është në shënjestrën e drejtësisë që ka kundërshtuar shumë prej shkarkimeve të cilësuara si të paligjshme: më pak pengesa tani për gjyqtarët. Në fund të fundit, ëndrra e Musk për të shkurtuar shpenzimet publike me 2000 miliardë dollarë, pastaj të reduktuara në 1000, kishte rënë prej kohësh: gjithçka ishte zvogëluar në kuotën e 150 miliardëve. Por as ky numër nuk qëndron: brenda janë përfshirë shpenzime të hequra më parë dhe funksione qeveritare të shkurtuara gabimisht që tani duhet të rivendosen me ngut.

Çfarë mbetet nga ky eksperiment?

Ndoshta vetëm një rast i humbur në mënyrë kaotike nga një sipërmarrës gjeni dhe dinamik, por pa përvojë politike dhe pa empati, që mbërriti në skenën e Uashingtonit me një sharrë motorike dhe sot del thuajse në heshtje me një tweet. Thuajse, sepse, pikërisht ndërsa falënderon në X presidentin për mundësinë që i dha për të nisur me Doge masa për rregullimin e financave publike, Musk jep një intervistë për CBS ku kritikon ligjin e buxhetit “të madh dhe të bukur” të Trump, duke thënë se ai vetëm rrit deficitin dhe borxhin federal në vend që t’i shkurtojë: pra, e bën të pavlefshëm punën e tij te Doge.

Pa dyer të përplasura, por ai nuk do të largohet në heshtje nga skena.

Me pak fjalë, Trump nuk ndahet nga Musk, që bëri më shumë se kushdo tjetër për rizgjedhjen e tij, dhe Elon nuk sulmon personalisht një president që ka në dorë levat e pushtetit të afta të ndikojnë rëndë mbi ndërmarrjet e tij, duke i mbështetur ose penguar. Por zhgënjimi i Musk është i dukshëm, si dhe një zemërim i fshehtë për dështimin për të bllokuar marrëveshjen më të papëlqyeshme: marrëveshjen për krijimin në Abu Dhabi të një prej qendrave më të mëdha të të dhënave për Inteligjencën Artificiale në botë, të nënshkruar nga kreu i OpenAI Sam Altman, armiku i tij i betuar, së bashku me Nvidia, Oracle dhe Softbank.

Sipërmarrësi fillimisht u përpoq të "ndikonte" në ndërmarrjen e përbashkët, më pas u tha të dërguarve të Emirateve se operacioni nuk do të shkonte përpara nëse nuk përfshihej edhe kompania e tij xAI. Por në fund Trump bekoi marrëveshjen pa pjesëmarrjen e Musk.

Pra, nuk u përplasën dyert, por ai “bashkëpresident” që ende në shkurt thoshte se e donte Trumpin dhe që tani largohet i zymtë — një ripërsëritje e pjesshme e aventurës trumpiane të para 8 viteve të mikut të tij Peter Thiel, një tjetër manjat i Silicon Valley, që zgjati pak në Shtëpinë e Bardhë pas dashurisë së tij elektorale — nuk do të dalë në heshtje nga skena.

Komunikues pa frena, ndryshe nga Thiel i heshtur, sipërmarrësi i Tesla-s, X dhe SpaceX, që ka shpenzuar gati 300 milionë dollarë për të zgjedhur Trump dhe kishte premtuar edhe 100 milionë të tjerë për të djathtën për zgjedhjet e “midterm”-it të vitit 2026, ka deklaruar tashmë se ka shpenzuar shumë për politikë: tani mjaft, nuk do të japë më asnjë dollar nëse nuk sheh ndonjë dobi: “Dhe për momentin nuk shoh asnjë.”

Si do të riorganizohet koalicioni i Trump?

Pyetja thelbësore ka të bëjë me rindërtimin e koalicionit që i dha Trumpit mjetet për të ndërhyrë në të gjitha fushat, duke qeverisur në mënyrë autoritare. Ai kishte krijuar një ekuilibër mes të djathtës ultrakonservatore të Heritage Foundation dhe famëkeqit Project 2025 dhe botës së teknologjisë që ishte aleate e tij. Hapi pas i Musk lë në fushë vetëm tradicionalistët? Apo Musk, Thiel, Andreessen dhe udhëheqësit e tjerë digjitalë, të vetëdijshëm për mësimin e 8 viteve më parë dhe pasi kanë vendosur shumë nga njerëzit e tyre në pika kyçe të administratës, po presin momentin e duhur për një Trump ende të aftë dhe të pathyeshëm, por me një horizont të kufizuar?

Teknologjia, gjithnjë e më e fuqishme dhe së shpejti e destinuar, me Inteligjencën Artificiale, të revolucionarizojë tregun e punës duke krijuar probleme të mëdha për politikën, siç paralajmëron edhe kreu i Anthropic, Dario Amodei, sigurisht nuk heq dorë nga ambicia për të ndryshuar rregullat e demokracive. Iluzioni se Trump mund të përdorej si një 'buldozer' ka dështuar. Tani loja do të luhet me JD Vance: “kapiteni i së ardhmes” është një krijesë e Thiel-it, por ka flirtuar edhe me ultra-konservatorët e Heritage. Çfarë do të bëjë ai kur (dhe nëse) Trump t’i lërë fushë të lirë veprimi?/Corriere della Sera