TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministri i jashtëm i Koresë së Veriut ka mbërritur në Rusi. Por presidenti Vladimir Putin nuk do ta presë atë në zyrë. Kështu konfirmon vetë Kremlini zyrtar, siç raportohet nga mediat në Moskë. Kjo vjen teksa ushtria ruse ka zhvilluar një sërë bombardimesh në Ukrainë dhe pretendon marrjen nën kontroll të disa zonave, mes të cilave edhe 3 qytezave në Donjeck.
E teksa trupat e Koresë së Veriut janë vendosur në Rusi, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe homologu i tij në Seul, Yoon Suk Yeol, zhvilluan një bisedë telefonike për të diskutuar ngjarjet e fundit në terren.
“Diskutuam për përfshirjen e ushtrisë së Koresë së Veriut në luftën ruse në Ukrainë dhe kemi dalë në të njëjtin përfundim: kjo luftë po bëhet ndërkombëtare”, lexohet në një komunikatë të Zelenskit. Ndër të tjera falenderoi presidentin e Koresë së Jugut për ofrimin e ndihmës dhe për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Pentagoni Amerikan thotë se Rusia do të përdorë 10 mijë ushtarë të Koresë Komuniste kundër Ukrainës brenda disa javëve.
Disa prej këtyre luftëtarëve të Kim Jong Un, thuhet se kanë lëvizur për në kufirin me Ukrainën pranë rajonit të Kursk, ku forcat e Moskës e kanë patur të vështirë të thyejnë inkursionin e Kievit. Seuli thotë se përfshirja e trupave koreanoveriore në këtë konflikt përbën një kërcënim për sigurinë e vendit, rajonit dhe botës. Presidenti i Koresë së Jugut e konsideron të paligjshëm bashkëpunimin ushtarak mes Moskës dhe Penianit.