TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

SHBA dhe Irani shkëmbyen sulme për të dytën ditë radhazi, duke lëkundur më tej armëpushimin e brishtë të dakordësuar mes dy palëve në prill. Komanda Qendrore Amerikane, Centcom, tha se kishte përfunduar një valë sulmesh vetëmbrojtëse, siç i cilësoi, duke shënjestruar ushtrinë, sisteme të survejimit dhe radarë në jug të Iranit.
Bombardimet, ku u përfshinë 49 raketa Tomahawk, erdhën pak orë pasi presidenti amerikan Donald Trump u zotua se do të godiste fort Iranin dhe se Teherani do të paguante çmimin, pasi mori shumë kohë për negocimin e një ujdie.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se i kishin dhënë shansin Iranit të arrinte një marrëveshje, por se nuk e kishte shfrytëzuar. Bombat do të bien në objekte kyçe, paralajmëroi ai.
Irani ka ende mundësinë të arrijë një marrëveshje të mirë, madje një marrëveshje shumë të mirë, që do të formalizonte atë që ata kanë thënë se janë të gatshëm të bëjnë. Por deri tani nuk kanë qenë të gatshëm ta bëjnë. Siç tha Presidenti Trump, ata kanë qenë duke trokitur në derën e një marrëveshjeje, pa e përmbyllur atë. Në vend të kësaj, tani do të kenë trokitje të bombave që bien mbi objekte kyçe në Iran nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në kundërpërgjigje, Teherani ndërmori sulme që shënjestruan asete ushtarake amerikane rreth rajonit, me bazat në Bahrein dhe Kuvajt që u goditën për të dytën ditë radhazi. Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se kishte lëshuar raketa balistike edhe kundër një qendre komandoje të SHBA-së në Jordani.
Pasdaranët pretendojnë se kanë shkatërruar një numër të madh avionësh lufte dhe objektesh, pasi lëshuan 12 raketa balistike në bazën e Muwaffaq Salti në Jordani.
Ministria e Brendshme e Bahreinit tha se sirenat ajrore u aktivizuan dhe se copa dronësh të interceptuar kishin dëmtuar shtëpi dhe automjete në kryeqytetin Manama dhe në Hamad, duke plagosur lehtë edhe një 11-vjeçare.
Po ashtu, Kuvajti raportoi interceptimin e dronëve armiqësorë dhe mbylli përkohësisht hapësirën ajrore.
Ndërkohë, në Iran mediat raportuan shpërthime rreth Teheranit, qytetit port të Bandar Abbas dhe pranë Ngushticës së Hormuzit.