BOTA, 1 Shkurt 2023, 09:49

Klitschko: Rusia kërkon të rindërtojë perandorinë e saj

Klitschko: Rusia kërkon të rindërtojë perandorinë e saj

Personazhi ndoshta me i famshëm në Ukrainë pas presidentit Voldymyr Zelenski është natyrisht kryetari i bashkisë së Kievit,  ish-kampioni i boksit Vitali Klitschko.

Grupi i xhirimit i A2 CNN, i cili ndodhet në Kiev për të pasqyruar zhvillimet e fundit të konfliktit në Ukrainë, ka arritur ta shkëpusë nga punët e përditshme dhe nga detyrimet luftarake për një intervistë ekskluzive për mikrofonin tonë.

Klitschko nënvizon se Rusia jeton ende me ndjenjat e Bashkimit Sovjetik dhe se ukrainasit i shohin si pjesë e kësaj ideje. “Por ajo kohë ka perënduar” thotë ai për A2, duke shtuar se shpreson që lufta të sjelle sa më shpejt paqen.

“Ne kemi luftuar këtë luftë me mbështetjen e qytetarëve ukrainas, por edhe me ata të kryeqytetit gjithashtu. Në Kiev janë shkatërruar më shumë se 700 ndërtesa, mbi 470 apartamente, janë vrarë më shumë se 150 civilë, përfshirë 4 fëmijë.

Është shkatërruar jeta normale e miliona njerëzve në Ukrainë, dhe jo vetëm këtu, por edhe në Europë. Aktualisht kemi shumë sfida”, rrëfen kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas për A2 CNN.  

Klitschko vijon duke thënë se “dëshira kryesore e çdo ukrainasi është që të ndalohet kjo luftë e pakuptimtë dhe që të vazhdojmë të jemi një shtet i pavarur. Të gjithë duhet ta kuptojnë se arsyeja e kësaj lufte të pakuptimtë është për shkak të dëshirës sonë për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Rusia kërkon që të na kthejë pas në Perandorinë Ruse.”