BOTA, 9 Mars 2025, 17:48

Izraeli shton presionin ndaj Hamasit, ndalon furnizimin me energji elektrike në Gaza

Izraeli shton presionin ndaj Hamasit, ndalon furnizimin me energji elektrike

Izraeli do të ndërpresë menjëherë linjën e energjisë elektrike në Rripin e Gazës, tha ministri izraelit i Energjisë Eli Cohen në një deklaratë për mediat gjatë kësaj të diele (9 mars).

“Sapo firmosa një urdhër për ndalimin e menjëhershëm të energjisë elektrike në Rripin e Gazës”, tha Cohen.

“Ne do të përdorim të gjitha mjetet që janë në dispozicionin tonë, për të siguruar kthimin e të gjithë pengjeve,” tha ai, shkruan CNN.

Ky zhvillim vjen pasi bisedimet e ndërmjetësuara mbi armëpushimin dhe marrëveshjen e pengjeve janë duke u zhvilluar, ndërkohë që Hamasi kërkon fillimin “e menjëhershëm” të bisedimeve për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit të Gazës, të cilën Izraeli e kundërshton.

Izraeli dëshiron të zgjasë fazën e parë të marrëveshjes për të vazhduar shkëmbimin e pengjeve – por pa ndonjë angazhim për përfundimin e përhershëm të luftës.

Javën e kaluar, Izraeli njoftoi bllokadë të të gjithë ndihmave në enklavë për t’i bërë presion Hamasit që të pranonte kushte të reja për një zgjatje të marrëveshjes aktuale të armëpushimit.

Një delegacion i Hamasit mbërriti në Kajro të premten për të diskutuar marrëveshjen e armëpushimit dhe për të nxitur një fazë të dytë të mundshme të marrëveshjes.

Nga ana e tij Izraeli tha se ka “marrë ftesë” nga ndërmjetësuesit e mbështetur nga SHBA për të dërguar një delegacion izraelit në Doha të hënën, “në një përpjekje për të çuar përpara negociatat”.
Një burim izraelit i tha CNN më herët të shtunën se Izraeli “po i jepte një shans negociatave” përpara se të kthehej në luftime në Gaza.