BOTA, 25 Tetor 2023, 16:39

Izraeli kërkoi shkarkimin e kreut të OKB-së, Guterres: Jam i tronditur nga keqinterpretimi i fjalëve të mia

Izraeli kërkoi shkarkimin e kreut të OKB-së, Guterres: Jam i

Shefi i OKB-së Antonio Guterres në një deklaratë për mediat tha se është i tronditur nga keqinterpretimet për disa nga komentet e tij dje në Këshillin e Sigurimit ku tha se është e rëndësishme të pranohet se sulmet nga Hamasi nuk ndodhën “në vakum” .

“Deklarata ime u keqinterpretua sikur të justifikonte aktet e terrorit nga Hamasi,” u tha ai gazetarëve. “Kjo është e rreme. Ishte e kundërta,” shtoi Guterres. Shefi i OKB-së theksoi se ai dënon pa mëdyshje aktet e tmerrshme dhe të paprecedentë të Hamasit më 7 tetor në Izrael. “Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjen, plagosjen dhe rrëmbimin e qëllimshëm të civilëve, ose lëshimin e raketave kundër objektivave civile,” citoi Guterres fjalimin e tij të djeshëm.

“Në të vërtetë, fola për ankesat e popullit palestinez. Duke bërë këtë, unë e deklarova qartë dhe citoj: Por ankesat e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit”, tha kreu i OKB-së. Guterres tha se ai beson se është e nevojshme të sqarohet keqinterpretimet. “Sidomos nga respekti për viktimat dhe familjet e tyre,” u shpreh ai para se të përfundojë fjalimin e tij të shkurtër.