TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ushtria izraelite tha se ka marrë nën kontroll një korridor strategjik përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin për të ndërprerë përdorimin e tuneleve të kontrabandës, teksa po tenton të shkatërrojë Hamasin.
Marrja e kontrollit e Korridorit Filadelfi mund të ndërlikojë raportet e Izraelit me Egjiptin, pasi ky i fundit është ankuar për avancimet e Izraelit drejt kufirit të tij.
Izraeli tha se në këtë korridor ka tunele përmes së cilave janë transportuar armë dhe mallra të tjera për Hamasin, pavarësisht një bllokade shumëvjeçare të vendosur nga Izraeli dhe Egjipti.
Izraeli po ashtu ka thelluar inkursionin e tij në qytetin Rafah, në jug të Gazës, qytet ku qindra mijëra persona janë strehuar për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të enklavës. Në këtë qytet, ditëve të fundit është intensifikuar dhuna, teksa janë vrarë dhjetëra palestinezë.
Egjipti tha se çdo rritje e numrit të trupave në zonën strategjike kufitare do të përbënte shkelje të Marrëveshjes së Paqes që Egjipti dhe Izraeli kanë arritur më 1979.
“Korridori Filadelfi ka shërbyer si linjë oksigjeni për Hamasin, përmes së cilit Hamasi ka kontrabanduar armë në Gazë në baza të rregullta”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
Korridori i ngushtë që në disa pjesë është i gjerë rreth 100 metra është i gjatë 14 kilometra në pjesën e Gazës në kufirin me Egjiptin, dhe kalon përmes pikëkalimit Rafah për në Egjipt.