TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se avionët e saj luftarakë goditën objektiva ushtarake të grupit huthi në zonën e portit Hodeidah në Jemen, në kundërpërgjigje të qindra sulmeve të bëra ndaj Izraelit gjatë muajve të fundit.
Al-Masirah TV, kanali kryesor televiziv që drejtohet nga grupi huthi, raportoi se sulmet u bënë ndaj objekteve të hidrokarbureve në këtë port dhe se pati viktima.
Banorë të Hodeidahut i thanë nëpërmjet telefonit agjencisë së lajmeve Reuters se shpërthimet dëgjoheshin në mbarë qytetin gjatë bombardimeve intensive.
Të premten, një dron i prodhimit iranian me rreze të gjatë veprimi goditi në qendër të Tel Avivit. Grupi paraushtarak huthi mori autorësinë e sulmit. Sipas ushtrisë izraelite dhe shërbimeve të emergjencës nga sulmi u vra një person dhe u plagosën katër të tjerë.
“Avionët e Forcave Mbrojtëse të Izraelit goditën objektiva ushtarake të regjimit terrorist të huthive në zonën e portit në Jemen, në përgjigje të qindra sulmeve të bëra ndaj shtetit të Izraelit gjatë muajve të fundit”, tha ushtria izraelite.
Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha se Izraeli informoi aleatët përpara se të bënte sulmin të shtunën.
Grupi huthi i mbështetur nga Irani ka shtuar sulmet ndaj Izraelit dhe objektivave perëndimore, duke thënë se po veprojnë në solidaritet me palestinezët.
Ata filluan të sulmojnë anijet perëndimore në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit, kur Izraeli sulmoi Rripin e Gazës pas sulmit vitin e kaluar të militantëve të Hamasit në Izraelin jugor.