BOTA, 7 Maj 2025, 16:59

“Iniciativë e rrezikshme”/ Hungaria kundër propozimit të BE për bllokimin e importit të gazit rus: Shkelje serioze e sovranitetit të vendeve evropiane

“Iniciativë e rrezikshme”/ Hungaria kundër propozimit

Hungaria është plotësisht kundër propozimit të Komisionit Europian për bllokimin e importit të gazit natyror rus.

Plani i Brukselit për të ndaluar importet e gazit rus do të kushtonte Hungarisë 1,5 miliardë euro në vit, dhe për këtë arsye do të kundërshtonte këtë iniciativë të rrezikshme me gjithë forcën e saj, theksoi të mërkurën ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó.

“Ky vendim i Komisionit është një shkelje serioze e sovranitetit të vendeve evropiane, përfshirë Hungarinë, pasi legjislacioni i BE-së e përcakton qartë se çdo shtet mund të vendosë se cilat burime energjie përdor dhe nga ku i merr ato”, tha ministri hungarez në një mesazh të regjistruar video në Facebook.

Propozimi rrezikon seriozisht sigurinë e furnizimit me energji të Hungarisë, një vend që mbështetet shumë në importet e energjisë nga Rusia, nga e cila blen rreth 80% të nevojave të tij për gaz natyror dhe rreth 65% të nevojave të tij për naftë.

Iniciativa e Komisionit Europian është “agresive” dhe përbën “një tjetër gabim shumë të rëndë”, ndërkohë që tregon se sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Rusisë kanë dështuar, deklaroi gjithashtu Péter Szijjártó.