BOTA, 6 Maj 2025, 20:56

Një ish-ushtarak si Ministër i Jashtëm, kush është kritiku i Putinit në krye të diplomacisë gjermane

Një ish-ushtarak si Ministër i Jashtëm, kush është

Ish-ushtaraku Johann Wadephul, një konservator i cili u emërua sot për të drejtuar diplomacinë gjermane në qeverinë e re të Friedrich Merz, është shfaqur vitet e fundit si një nga kritikët më të hapur të Vladimir Putinit.

Ky anëtar i Bashkimit Kristian-demokrat (CDU), i cili zëvendëson ekologen Annalena Baerbock, u emërua zyrtarisht nga kreu i shtetit Frank-Walter Steinmeier së bashku me kolegët e tij në ekzekutivin e ri.

Pak i njohur për publikun e gjerë, ky 62-vjeçar, që nga fillimi i pushtimit rus, tre vjet më parë, e përcaktoi Rusinë si armikun numër një.

“Kërcënimi më akut për ne, për jetën tonë, për sistemin ligjor, por edhe për jetën fizike të të gjithë njerëzve në Evropë, tani është Rusia”, tha ai së fundmi.

Në një intervistë të kohëve të fundit me gazetën “Frankfurter allgemeine Zeitung”, ai tha se Putini ishte “përçarës, agresiv dhe i uritur për pushtime”.

I përshkruar si pragmatik në media, ai mbron qëndrime shumë të qarta në favor të ndihmës ushtarake për Kievin.

Në veçanti, ai argumentoi që Ukrainës t’i lejohej të godiste territorin rus me armë të furnizuara nga aleatët perëndimorë, në një kohë kur këta të fundit po e përjashtonin zyrtarisht atë nga frika e një përshkallëzimi me fuqinë bërthamore ruse.

Ai gjithashtu mbështet furnizimin e Ukrainës me raketa “Taurus” me një rreze veprimi prej 500 kilometrash, diçka që kancelari i ri Friedrich Merz nuk e ka përjashtuar.

Kancelari në largim, Olaf Scholz, gjithmonë e kishte refuzuar ta bënte këtë, duke treguar rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit përballë fuqisë bërthamore ruse.