BOTA, 5 Shtator 2023, 18:58

Hyrja në Venecia pritet të bëhet me pagesë nga viti i ardhshëm, ja arsyeja

Hyrja në Venecia pritet të bëhet me pagesë nga viti i

Venecia planifikon ta bëjë me pagesë hyrjen për vizitorët ditorë nga viti i ardhshëm, në përpjekje për ta menaxhuar numrin e madh të turistëve që tërhiqen nga kanalet e saj historike, njoftoi të martën këshilli i qytetit, shkruan REL. Pagesa për hyrje në Venecia do të jetë pesë euro për vizitorët ditorë.

Pagesa do të vlejë si eksperiment për 30 ditë vitin e ardhshëm, dhe do të aplikohet në ditët e pushimit dhe fundjavat e verës kur numri i turistëve e arrin kulmin.

Të gjithë vizitorët mbi moshën 14-vjeçare duhet të paguajnë hyrjen. Vizitorët, ndërkohë, i janë kthyer bujshëm Venecias, me të huajt që janë duke e mbizotëruar popullatën vendore prej rreth 50 mijë banorëve, duke i stërmbushur rrugicat e saj të ngushta.

Turizmi i tepruar i ka shkaktuar shpesh telashe qytetit të brishtë lagunë.

Në korrik, ekspertët e UNESCO-s propozuan që Venecia dhe lagunat e saj të shtohen në listën e objekteve kulturore të rrezikuara, duke thënë se Italia nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur qytetin nga ndikimi i ndryshimit klimatik dhe turizmi i madh.