BOTA, 30 Maj 2026, 11:28

Hegseth në Singapor: SHBA nuk po i kthen shpinën aleatëve në Azi, pavarësisht angazhimeve globale

Hegseth në Singapor: SHBA nuk po i kthen shpinën aleatëve në

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po i “kthejnë shpinën” aleatëve të tyre në Azi, pavarësisht angazhimeve globale, përfshirë konfliktin me Iranin, raportoi BBC.

Duke folur në Forumi e Sigurisë “Dialogu Shangri-La” në Singapor, Hegseth siguroi partnerët në rajonin Azi-Paqësor se Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj sigurisë së tyre dhe se do të vazhdojë bashkëpunimin ushtarak, përfshirë furnizimin me armë.

“Ne mund të përballojmë më shumë se një sfidë njëkohësisht”, tha ai, duke theksuar se SHBA-ja po forcon praninë dhe bashkëpunimin me aleatët në Paqësor, ndërsa njëkohësisht po punon për të parandaluar që Irani të sigurojë armë bërthamore.

Hegseth hodhi poshtë shqetësimet se pezullimi i një pakete armësh prej 14 miliardë dollarësh për Tajvanin, mund të ndikojë në aftësinë e SHBA-së për të përmbushur angazhimet ndaj partnerëve të saj.

Sipas tij, rezervat amerikane të municioneve mbeten të forta dhe kapaciteti prodhues është i mjaftueshëm.

Në fjalimin e tij, ai bëri thirrje që vendet aziatike të rrisin shpenzimet për mbrojtjen deri në 3,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke përgëzuar vende si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Filipinet, për rritjen e investimeve ushtarake dhe bashkëpunimit me SHBA-në.

Ai paralajmëroi gjithashtu për rritjen e kapaciteteve ushtarake të Kinës, por theksoi se Uashingtoni nuk synon një përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve.

“Ne kërkojmë një ekuilibër të qëndrueshëm në rajon, ku asnjë shtet, përfshirë Kinën, të mos mund të imponojë hegjemoninë e tij”, deklaroi Hegseth.

Forumi i Singaporit konsiderohet një nga platformat më të rëndësishme për dialogun mbi sigurinë në Azi, megjithëse Kina, për të dytin vit radhazi, nuk dërgoi ministrin e saj të Mbrojtjes, por një delegacion të nivelit më të ulët.