TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Greqia ka lënë mënjanë tensionet e saj me Turqinë, duke iu gjendur pranë në një moment të vështirë pas tërmeteve shkatërrimtare që goditën vendin.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis deklaroi për CNN se Greqia do të vijojë të dërgojë ndihma në Turqi, por theksoi se për Sirinë, çështja është më e komplikuar.
“Greqia dhe Turqia janë vende fqinje që duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën në kohë të vështira. Kjo nuk është hera e parë që tërmetet godasin vendet tona. Kjo është një kohë ku duhet të lëmë mënjanë mosmarrëveshjet tona dhe të përpiqemi të adresojmë këtë situatë urgjente” – u shpreh Mitsotakis për CNN.
Për situatën në Siri, kryeministri grek tha se atje nuk ka një diplomat apo një zyrtar të lartë me të cilin mund të bisedohet dhe që mund të merret një garanci që ndihmat që do dërgojmë, të shkojnë në zonat e prekura dhe në ndihmë të njerëzve.
“Në Siri nuk ka asnjë zyrtar me të cilin mund të bisedojmë. Nuk ka asnjë garanci se ndihmat që do të dërgojmë, do arrijnë në zonat e prekura nga tërmeti dhe në ndihmë të njerëzve. Kjo situatë i bën përpjekjet tona më të vështira për të arritur në Siri” – u shpreh Mitsotakis.
“Asnjë vend më vete nuk ka aftësinë për të bërë këto lloj marrëveshjesh. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se është e rëndësishme që këto negociata të mund të zhvillohen ose përmes OKB-së ose përmes Bashkimit Evropian duke tërhequr burime”, tha ai për CNN, duke shtuar se ai nuk ka komunikuar drejtpërdrejt me Damaskun.
Siria Veriperëndimore, e cila është prekur nga tërmeti, vijon të jetë në një situatë të vështirë që prej nisjes së luftës civile në vend.
Aktualisht, disa zona të Sirisë veriperëndimore, duke përfshirë edhe qytetin Idlib, janë nën kontrollin e rebelëve anti-qeveritar.
“Dua të theksoj këtë: kjo nuk ka të bëjë me gjeopolitikën. Nuk ka të bëjë me njohjen e ndonjë regjimi. Kjo ka të bëjë me shpëtimin e njerëzve në kushte të tmerrshme që kanë nevojë dëshpërimisht për ndihmën tonë,” shtoi Mitsotakis.