TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një gjykatës amerikan i ka hapur rrugën administratës së presidentit amerikan Donald Trump që të vendosë në leje administrative rreth 2 200 punonjës të agjencisë amerikane të ndihmës për zhvillim, USAID.
Gjykatësi Carl Nichols hoqi dje urdhrin e përkohshëm të ndalimit që kishte vendosur në fillim të shkurtit për të lejuar vazhdimin e një mosmarrëveshjeje ligjore.
Dy përfaqësues të punonjësve kishin ngritur një padi duke argumentuar se qeveria e Trump nuk ishte e autorizuar të largonte punonjësit.
Megjithatë, Nichols, i cili u emërua nga Trump gjatë mandatit të tij të parë, tha se paditësit nuk kishin treguar se do të pësonin “lëndim të pariparueshëm” ose se pretendimet e tyre kishin të ngjarë të kishin sukses.
“Aktualisht, agjencia është ende në këmbë”, shkroi Nichols në vendimin e tij.
“Dhe kështu, dëmtimet e supozuara mbi të cilat mbështeten paditësit në kërkimin e ndihmës urgjente rrjedhin në thelb nga marrëdhëniet ekzistuese të punës së anëtarëve të tyre me USAID”, shtoi ai.
Qeveria amerikane kishte njoftuar se i gjithë “personeli me punësim direkt” që punon kudo në botë për agjencinë do të vendosej në “leje administrative”, me përjashtim të punonjësve në pozicione të rëndësishme.
USAID është një nga agjencitë më të mëdha të ndihmës në botë, që punëson rreth 10 000 persona, dy të tretat e të cilëve punojnë jashtë Shteteve të Bashkuara.
Ai është përgjegjës për dhënien e një pjese të madhe të ndihmës humanitare të qeverisë amerikane për vendet në zhvillim dhe vendet në krizë.
Trump ka pretenduar në mënyrë të përsëritur se drejtohet nga “të çmendurit radikalë” që kërkojnë të pengojnë axhendën e tij të politikës së jashtme ”Amerika e para”.
Ai ngriu fondet e agjencisë në janar në pritje të një rishikimi të brendshëm, duke ndikuar në një gamë të gjerë nismash në mbarë globin.