BOTA, 12 Qershor 2026, 14:48

Finlanda refuzon rolin e ndërmjetësit mes Evropës dhe Putinit: Negociatat duhet t’i udhëheqë…

Finlanda refuzon rolin e ndërmjetësit mes Evropës dhe Putinit:

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka bërë të qartë se nuk synon të marrë rolin e ndërmjetësit në një dialog të mundshëm mes Bashkimit Evropian dhe presidentit rus, Vladimir Putin, duke argumentuar se një mision i tillë duhet të udhëhiqet nga shtetet më me ndikim të kontinentit.

Sipas Stubb, vende si Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë peshën politike dhe diplomatike të nevojshme për të zhvilluar negociata të nivelit të lartë me Kremlinin. Ai theksoi se shtete më të vogla, si Finlanda apo Norvegjia, mund të kontribuojnë në mbështetje të procesit, por jo të marrin drejtimin e tij.

Deklaratat e presidentit finlandez vijnë në një kohë kur në Evropë po diskutohet gjithnjë e më shumë mbi mundësinë e rivendosjes së kanaleve diplomatike me Rusinë, pas përshkallëzimit të tensioneve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.

Megjithatë, Stubb nënvizoi se mbajtja e hapur e komunikimit me Kremlinin mbetet e rëndësishme, duke vlerësuar se zhvillimet në front tregojnë se Ukraina ndodhet aktualisht në një pozicion relativisht të favorshëm.

Qëndrimi i tij pritet të ushqejë debatin brenda Bashkimit Evropian mbi mënyrën se si duhet të organizohet diplomacia evropiane ndaj Rusisë dhe cilat vende duhet të kenë rolin udhëheqës në çdo proces të ardhshëm negociues.