BOTA, 12 Maj 2022, 09:49

Çfarë do të ndodhte nëse Finlanda do t’i bashkohej NATO-s, dhe sa shqetësuese mund të jetë përgjigja e Putinit?

Çfarë do të ndodhte nëse Finlanda do t’i bashkohej

Anëtarësimi në NATO do të ishte një ndryshim “sizmik” për Finlandën dhe do të shkatërronte bindjet se qëndrimi jashtë aleancës ushtarake është mënyra më e mirë për të shmangur telashet me fqinjin e saj.

Por, edhe më e rëndësishmja, do të vinte në një kohë kur një vend që ka qenë neutral për një kohë të gjatë, Suedia, gjithashtu po mendon të bashkohet.

Nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO-s, Rusia do ta gjente veten plotësisht të rrethuar nga vendet e NATO-s në Detin Baltik dhe Arktik.

Nëse do të ndodhte, a do të kishte pasoja?

Kremlini ka paralajmëruar për pasoja ushtarake dhe politike nëse finlandezët ose suedezët vendosin të anëtarësohen në NATO.

Vladimir Putin, në fjalimin e tij në ditën kur Ukraina u pushtua, tha: “Një prani ushtarake në territoret në kufi me Rusinë, nëse e lejojmë të vazhdojë, do të krijojë një kërcënim gjithnjë në rritje dhe krejtësisht të papranueshëm për Rusinë.”

Por analistët thonë se aksioni ushtarak kundër vendeve nordike duket i pamundur, duke marrë parasysh sa të përfshira janë forcat ruse në Ukrainë.

Shumë nga trupat ruse të vendosura pranë kufirit finlandez u zhvendosën në Ukrainë dhe kanë pësuar “humbje të konsiderueshme”, u shpreh për AP Heli Hautala, diplomate finlandeze dhe studiuese në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane në Uashington.

Më shumë gjasa, tha ajo, do të ishte që Moska t’i afronte sistemet e armëve më afër Finlandës, fushatat e dezinformimit, sulmet kibernetike, kundërlëvizjet ekonomike dhe drejtimin e migrimit drejt kufirit ruso-finlandez, ngjashëm me atë që ndodhi në kufirin e Polonisë me Bjellorusinë vitin e kaluar.