BOTA, 11 Maj 2022, 09:57

Vritet me armë zjarri teksa raportonte live gazetarja e njohur në Bregun Perëndimor

Vritet me armë zjarri teksa raportonte live gazetarja e njohur në

Gazetarja e Al Jazeera, Shereen Abu Aqleh është qëlluar për vdekje teksa raportonte për një bastisje të forcave izraelite të sigurisë në qytetin e Jeninit në Bregun Perëndimor.

Agjencia e lajmeve me bazë në Katar raportoi se Abu Aqleh, 51 vjeçe, dyshohet se u vra “qëllimisht” nga trupat izraelite.

Një tjetër gazetar u qëllua dhe u plagos.

Ushtria izraelite mohoi se forcat e saj kishin shënjestruar gazetarët dhe tha se po hetonte “mundësinë” që ata “të ishin goditur nga persona të armatosur palestinezë” gjatë një shkëmbimi zjarri.

Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid e përshkroi vdekjen e Abu Aqleh si “të trishtë” dhe tha se kishte kërkuar të kryhet një hetim i përbashkët me autoritetet Palestineze.

“Gazetarët duhet të mbrohen në zonat e konfliktit dhe ne të gjithë kemi përgjegjësi për të arritur tek e vërteta”, shtoi ai.

Ndihmësministri i Jashtëm i Katarit, Lolwah al-Khater tha se Abu Aqleh u qëllua “në fytyrë”.

Ministria palestineze e shëndetësisë konfirmoi vdekjen e Abu Aqleh dhe tha se ajo ishte dërguar me urgjencë në spital në gjendje kritike, por aty humbi jetën.

Shereen Abu Aqleh ishte një figurë e njohur në shërbimin arab të lajmeve të Al Jazeera-s, e cila kishte raportuar për konfliktin izraelito-palestinez prej 15 vjetësh.