BOTA, 3 Maj 2022, 23:38

Drejtuesi i ekipit të OKB-së: Civilët e evakuuar panë tmerr me sy, janë hapur varre mes qyteteve

Drejtuesi i ekipit të OKB-së: Civilët e evakuuar panë tmerr

Drejtuesi i ekipit të OKB-së, Sebastian Rhodes Stampa, për evakuimin e civilëve ukrainas ka deklaruar se operacion i shpëtimit ishte mjaft i ndërlikuar.

“Po përpiqemi t’i nxjerrim  njerëzit nga një zonë konflikti aktiv ku ka gra dhe fëmijë që kanë jetuar në bodrume për dy muaj dhe po përpiqemi ti çojmë në vend më të sigurt”, shprehet ai.

Stampa tregon ato që kanë përjetuar vetë civilët ukrainas ku janë hasur me sulme me mortaja për të cilat ai thotë se nuk e dinin se prej nga vinin.


“Ata dolën dhe panë qytetin e shkatërruar, ku dikur ishin rritur aty. Ka varre të hapura në trotuar dhe në çdo parcelë me bar që mund të gjeni. Ata ishin të tmerruar. Ata kanë qenë në bodrume për dy muaj dhe nuk kanë kuptuar se çfarë po ndodh dhe nuk janë informuar për asgjë”, thekson ai.

Stampa shprehet se OKB-ja është e përgatitur të punojë me të dyja palët për evakuimin e civilëve, duke shtuar se ai shpreson se operacioni i sotëm është i pari nga shumë të tjerë që priten në vijim.