BOTA, 26 Tetor 2024, 21:17

Disa të arrestuar në Londër pas protestës së ekstremit të djathtë dhe protestës kundër racizmit

Disa të arrestuar në Londër pas protestës së ekstremit

Në Londër janë zhvilluar dy protesta paralele, të cilat kanë çuar në pranga pesë persona, njofton Policia Metropolitane. 

Protestat u zhvilluan në qendër të Londrës dhe patën momente dhune. Njëra prej tyre e frymëzuar nga personazhi kontrovers, Tommy Robinson, i cili frymëzoi edhe protestat anti-emigracion gjatë verës së këtij viti. Robinson nuk arriti të jetë pjesë e marshimit të sotëm, pasi është i ndaluar nga policia.  

Protestuesit e ekstremit të djathtë, u solidarizuan me personat e arrestuar për protestat e dhunshme anti-emigracion. Ata bënë thirrje për largimin e kryeministrit Starmer, ndalimin e gomoneve që sjellin emigrantë të paligjshëm dhe refugjatë përmes La Manshit dhe rikthimin e skemës "Ruanda" për dërgimin e azilkërkuesve në vendin afrikan, skemë e anulluar nga qeveria aktuale laburiste. 

Një kundër protestë anti-racizëm u zhvilluar nga "Stand Up To Racism", e cila gjithashtu u menaxhua nga policia. Prosteta u etiketua si një manifestim "kundër fashizmit". 

Dy persona u arrestuan nga protesta e të djathtës ekstreme, ndërsa dy të tjerë nga protesta kundër rracizmit. Një i pestë u ndalua nga policia, pasi bëri një koment rracist ndaj një polici.

Tensionet kanë qenë mjaft të larta në kryeqytetin britanik dhe një numër i konsiderueshëm policësh kanë asistuar në përballimin e dy grumbullimeve, përfshirë edhe oficerë të ardhur nga forca të tjera.