BOTA, 29 Dhjetor 2022, 23:38

Aksident masiv në Seul, pesë viktima dhe 37 të plagosur

Aksident masiv në Seul, pesë viktima dhe 37 të plagosur

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 37 janë plagosur në një zjarr masiv të shkaktuar nga përplasja e një kamioni mallrash me një autobus në një tunel autostrade pranë kryeqytetit të Koresë së Jugut, Seul.

Nuk dihet se çfarë e shkaktoi përplasjen dhe zjarrin apo se çfarë ngarkese mbante kamioni. Zjarri shpërtheu rreth orës 13:50 me kohën lokale në një tunel të autostradës në Gwacheon. Tuneli i ngritur është projektuar për të mbrojtur ndërtesat përreth nga zhurmat e rrugës.

3 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë. 34 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta. Shtëllunga të mëdha zjarri dhe tymi i dendur u panë që dilnin nga tuneli në imazhet e postuara në mediat lokale dhe rrjetet sociale.

Qindra zjarrfikës arritën të vënë nën kontroll flakët. “Ne po bëjmë kërkime brenda tunelit në rast se ka viktima të tjera” – tha një zyrtar i zjarrfikësve. Rreth 20 persona po trajtohen në spital pasi kanë marrë tym në mushkëri.

Ministri i Brendshëm Lee Sang-min bëri thirrje për “përdorimin e burimeve maksimale” për të shpëtuar jetë. “U bëj thirrje autoriteteve të bëjnë përpjekjet më të mëdha për të shpëtuar jetën e atyre që janë plagosur” – tha ai.

Në tetor, të paktën 153 njerëz u vranë në një përplasje mes turmës së Halloween në lagjen Itaewon të Seulit. Një seri fatkeqësish të parandalueshme ka tronditur besimin e publikut. Shumë koreano-jugorë kanë vënë në dyshim nëse standardet e sigurisë janë anashkaluar dhe rregulloret janë injoruar në nxitimin e qeverisë për zhvillim ekonomik.