BOTA, 27 Qershor 2026, 17:20

AfD sulmon ikonën e arkitekturës moderne Bauhaus, Auron Dodi: Debat se rikthehet retorika naziste

AfD sulmon ikonën e arkitekturës moderne Bauhaus, Auron Dodi: Debat se

Auron Dodi nga Deutsche Welle ka shpjeguar në situatën në Gjermani me partinë ultra të djathtë AfD, e cila ka nisur në Gjermani një sulm kundër Bauhaus-it, njërës nga shkollat më me ndikim në arkitekturën moderne, që sivjet kremton 100‑vjetorin.

Bauhaus është pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s.

Tema të preferuara të AfD-së zakonisht janë ekonomia dhe migrimi. Pse e ka bërë pikërisht kulturën AfD-ja në Saksoni-Anhalt temë qendrore?

A.Dodi: AfD-ja e ka bërë kulturën temë qendrore, sepse përmes kulturës, mund të riinterpretohet historia. Kjo parti ultra e djathtë synon të imponojë një imazh tjetër të Gjermanisë, të përqendruar te “identiteti gjerman”.

Si mjet ka zgjedhur “politikën kulturore patriotike”, siç e quan në programin elektoral. Zëdhënësi i AfD-së për kulturën në Saksoni-Anhalt, Hans-Thomas Tillschneider, kërkon që Saksoni-Anhalt duhet të bëhet “vendi i ëndërruar për të gjithë patriotët gjermanë”. Ai kërkon një “rilindje të kulturës gjermane”.

Njëkohësisht: të gjithë ata që për AfD-në janë tepër “të larmishëm” AfD-ja i vë nën presion: p.sh. thotë se teatrot nxisin “ideologji të larmisë liberale-të majtë”. Përfaqësuesi i AfD-së i kërcënoi se do t’ua presë subvencionet. Prandaj artistët në Saksoni-Anhalt i shohin me njëfarë shqetësimi zgjedhjet e landit në shtator (2026). AfD-ja prin në sondazhe me mbi 40 përqind, dhe mund të fitojë shumicën absolute — pikërisht në landin ku Bauhaus-i ka selinë.

Fondacioni Bauhaus, me seli në Dessau, paralajmëroi se AfD-ja po rikthen retorikën naziste. A është deklaratë me bazë apo e zmadhuar?

A.Dodi:Jo, ka dëshmi për këtë, megjithëse AfD-ja nuk e pranon akuzën. Përfaqësuesi i AfD-së vitin e kaluar e cilësoi shkollën Bauhaus, para parlamentit të landit, si një “rrugë të gabuar të modernitetit”. Ky është në fakt citat nga Paul Schultze-Naumburg, ideolog nazist, libri i të cilit “Kunst und Rasse” (Arti dhe Raca) formësoi politikën kulturore naziste.

Ky ideolog nazist, dikur e kishte quajtur “antigjermane”, çatinë e sheshtë, një tipar karakteristik i ndërtesave Bauhaus. Ideologët e Hitlerit e kishin quajtur Bauhaus-in “antigjerman”, edhe sepse sipas tyre ka “stil anonim, ndërkombëtar e bolshevik”.

Përfaqësuesi i AfD-së Tillschneider argumenton tërthorazi ngjashëm. Bauhaus-i, tha ai, mishëron “çrrënjosjen”, “zhvendosjen e ndërtimit”. Bauhaus-i ndërtoi për

për ‘Anywheres’ (ata që ndihen kudo si në shtëpi); kurse AfD-ja angazhohet për ‚Somewheres‘ (të rrënjosurit), ata të lidhur me një vend.

E qartë, po ku qëndron thelbi i vërtetë i urrejtjes së nazistëve ndaj kësaj shkolle të famshme arkitekture?

A.Dodi:Bauhaus-i nuk ishte thjesht një stil ndërtimi, ishte një konceptim i ri, një premtim shoqëror.

Shkolla u themelua më 1919, pak pas kryengritjes së republikanëve kundër Perandorisë gjermane të Vilhelmit. Fillimet e saj u frymëzuan nga ideja e çlirimit të individit. Brenda vetëm katërmbëdhjetë vitesh (1919-1933) Bauhaus e përmbysi artin dhe arkitekturën. Objektivi i madh: të pajtonte estetikën me industrinë e kohës moderne. Deri atëherë ishte artizanati që i kishte dhënë vulën mënyrës së ndërtimit.

Për katërmbëdhjetë vjet shkolla Bauhaus strehoi ide shumë të ndryshme mbi formën moderne dhe rolin e artit dhe të artistit në epokën industriale. Bauhaus-i fillestar u nda më vonë në periudha të ndryshme me qasje të ndryshme.

Zakonisht dallohen tre faza: ekspresionizmi i viteve të hershme (1919–1923), funksionalizmi (1923–1930), para se të mbizotëronin çështjet formale dhe konstruktiviste (1930–1933). Ajo që sot e kuptojmë si Bauhaus është kryesisht faza e mesme: dizajnimi i produkteve për botën moderne

Ndërtesa më e famshme në Dessau e dëshmon këtë edhe sot nga jashtë: me vëllime kubike, me çati të sheshtë, me fasada xhami. Ka linja të pastra, ka shumë dritë, asnjë ornament.

Historianë gjermanë të kulturës kujtojnë se shumë arkitektë të viteve 1920 kërkonin rrugë si të ndërtonin banesa masive. Dhe t’i ndërtonin lirë, për shumë njerëz me të ardhura të pakta.

Ishte shkolla Bauhaus, që me inovacionin e konceptit krijoi për herë të parë banesa të përballueshme, me kuzhinë e banjë brenda — gjë e pazakontë atëherë. Pikërisht këto banesa për shumicën, ky modernitet, ishte i urryer për nazistët.

A.Dodi:Emri e ka burimin në Mesjetë: Themeluesi Walter Gropius ia vuri shkollës emrin sipas Bauhütte-eve — punishteve ku brez pas brezi ngriheshin katedralet e mëdha. Atje sundonte një rregull i pazakontë: gurgdhendësi, piktori dhe skulptori punonin si të barabartë në një vepër të vetme. Atje i rëndësishëm nuk ishte një artist i veçantë, por krijimi i përbashkët. Pikërisht këtë donte ta rikthente Gropius-i. Në shkollën e tij Bauhaus, nxënësit, mjeshtrit e rinj dhe mjeshtrit e kualifikuar duhej të formonin një komunitet jete, mendimi dhe pune.

Gjurmë të kësaj shihen sot në Dessau, te Shtëpitë e Mjeshtrave, ku banonin arkitektët. Ato u bënë mishërimi i kolonisë së artistëve, të shekullit të 20-të.

Si u kthye Bauhaus në simbol botëror?

A.Dodi:Nazistët e mbyllën shkollën, që qe zhvendosur nga Weimari në Dessau, sapo erdhën në pushtet më 1933. Por shkolla Bauhaus mbijetoi, sepse shumë mësues e studentë emigruan, p.sh. në SHBA. Ngaqë numri i tyre në universitetet amerikane ishte shumë i madh, ata lanë gjurmë te një brez i tërë. Kështu, në vitet 1950, stili Bauhaus — një stil modern, funksional, i thjeshtë — u përhap gjerësisht. Forma e reduktuar dhe seriale e ndërtimit, që mund të përshtatej thuajse kudo, e bëri kaq me ndikim shkollën.

Megjithatë, Bauhaus-i nuk ishte kurrë stil i ngurtë, por më shumë një rezervuar idesh: në nivel lokal idetë përvetësohesin, riinterpretoheshin, ndonjëherë refuzoheshin. Gjurmët e Bauhaus-it shtrihen sot që nga Çikago, në Moskë e deri në Tel Aviv. Në SHBA u përqafua më tepër elementi funksional, në Rusi u theksuan në ndërtesa më tepër elementët socialë.

Sot shkolla Bauhaus bën pjesë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. UNESCO e ka cilësuar “simbol të modernitetit dhe të arritjes pioniere njerëzore”.

Po institucionet kulturore në Saksoni-Anhalt — a po përgatiten për një situatë të jashtëzakonshme, po të vijë në pushtet AfD-ja?

A.Dodi:Po. Kudo në Saksoni-Anhalt, institucionet kulturore, teatrot e muzetë po këshillohen si të reagojnë: ndaj pushimeve eventuale nga puna, shkurtimeve të buxhetit apo ndërhyrjes politike. Të tërheq vëmendjen që po marrin përvoja nga artistët në Hungari, Poloni dhe Sllovaki, ku qeveritë e djathta e kanë vënë kulturën nën kontroll.

Në një deklaratë të përbashkët, institucionet kulturore, mes tyre Fondacioni Bauhaus Dessau, i janë kundërvënë hapur “kthesës patriotike” të paralajmëruar.

Edhe politika po vepron: qeveria e landit (CDU, SPD, FDP) paraqiti një ligj që çdo ndryshim në financimin e kulturës të miratohet vetëm me shumicë parlamentare.