AKTUALITET, 7 Shtator 2021, 15:49

Boris Johnson thyen premtimin elektoral, rriten taksat në Mbretërinë e Bashkuar

Boris Johnson thyen premtimin elektoral, rriten taksat në


Një taksë e re sociale dhe për shëndetësinë do të shtohet në Mbretërinë e Bashkuar. Ky vendim, sipas kryeministrit Boris Johnson, vjen si pasojë e nevojës për të financuar Shërbimin Shëndetësor Kombëtar.

Johnson e pranoi se ky ndryshim ishte një thyerje e manifestit konservator, por shtoi se pandemia globale nuk gjendet "në asnjë manifest".

Sigurimet Kombëtare, përndryshe sigurimet shoqërore, do të rriten me 1.25% në prillin e ardhshëm dhe në vitin 2023 do të jetë një taksë e veçantë.

Sipas qeverisë, këto ndryshime do t'ju kushtojnë personave që fitojnë 30 mijë paund në vit, rreth 255 paund më shumë. Ndërsa atyre që fitojnë 50 mijë paund, rreth 505 paund shtesë.

Aksionerët do të duhet gjithashtu të paguajnë 1.25% më shumë taksa, nga fitimet që gjenerojnë.

"Nuk mund të rregullohet Shërbimi Shëndetësor Kombëtar, pa u rregulluar përkrahja sociale. Nuk mund të rregullohet përkrahja sociale, pa hequr frikën e humbjes së gjithçkaje për të financuar përkrahjen sociale dhe sigurisht nuk mund të rregullohet përkrahja shëndetësore dhe sociale pa reformë afatgjatë. Plani që po propozon kjo qeveri, do t'i rregullojë të gjitha këto gjëra sëbashku", tha Johnson.

Kreu i opozitës, Sir Keir Starmer, e qortoi këtë vendim, duke deklaruar se ai do të targetojë të rinjtë, punonjësit e supermarketeve dhe infermieret, dhe jo ata që kanë "shpatullat e gjera" dhe duhet të paguajnë më shumë. Starmer i kujtoi Johnson gjithashtu, se është duke thyer një premtim elektoral.

/TPZ.al/