TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Memorie.al/ Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.
Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia.
Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Portrete bashkëvuajtësish-
(1945-1991)
Shkrimtarët dhe artistët gjatë diktaturës komuniste
Elita e një kombi janë shkrimtarët dhe artistët e të gjitha fushave. Para vendosjes së diktaturës komuniste edhe Shqipëria nuk ishte e përjashtuar nga ky rregull, prandaj grushti i hekurt i partisë-shtet goditi pa mëshirë që në vitet e para të ekzistencës së tij shkrimtarët dhe artistët. Shkrimtarët shqiptarë të para luftës ishin intelektuale të elitës shumica e tyre kishin kryer studimet e larta në universitetet më të mira të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pikërisht këta shkrimtarë dhe artistë ishin të parët që u ekzekutuan në gijotinën Komuniste:
***
Shteti komunist shqiptar për qëllime propagandistike, i duhej të afronte një mori njerëzish, që kishin një farë talenti në letërsi, muzikë dhe në artet figurative, për t’i përdorur si lustraxhinjtë të diktaturës. Njerëz të pamoralshëm, konformist, të mikluar nga disa privilegje të çastit, që diktatura i ofronte, u afruan si mizat në qypin me mjaltë dhe iu vunë punës, për ta paraqitur në art dhe letërsi Shqipërinë si vendin më të “lumtur” të botës. U arrit deri atje, sa diktatori Hoxha identifikohej me Shqipërinë dhe anasjelltas. Kulti i Enver Hoxhës nga sahanlëpirësit e neveritshëm, u ngrit në zenit. Për atë u shkruan mbi 2000 libra, u botuan mbi 5000 poezi dhe poema, u ngritën mbi 700 buste dhe monumente, u shkruan parulla në faqet e maleve me përmasa biblike, iu kushtuan mbi 2000 këngë dhe iu bënë mbi 3 milionë foto, përveç qindra portreteve në piktura me përmasa gjigante. E çfarë nuk u shkrua dhe nuk u tha për njeriun, që e çoi Shqipërinë drejt greminës?!
Servilizmi i neveritshëm kishte arritur deri atje sa të shkruheshin në fasadat e institucioneve shtetërore shprehjen e kryeministrit sadist, Mehmet Shehu; “Atje ku vendos këmbën Enver Hoxha, ne duhet të vëmë kokën”!
Ne ç’vend të botës në kohët moderne, thuhej një shprehje e tillë për diktatorin? Roli i shkrimtarëve dhe artistëve nuk ishte vetëm ngritja e kultit të diktatorit, por me veprat e tyre ata duhet të ndërtonin “njeriun e ri” të klonuar dhe si një manekin, vegël qorre në duart e partisë-shtet. Jo më kot Stalini thoshte: “Shkrimtarët janë inxhinierët e shpirtrave”. Pikërisht diktaturat komuniste këtë detyrë ju kishin ngarkuar shkrimtarëve dhe artistëve, dhe një pjesë e tyre që dërgoheshin jashtë shtetit, përdoreshin dhe për punë të pista të Sigurimit shqiptar. Ndonjëri që dredhonte sado pak nga rruga e caktuar nga partia gjëmëmadhe dënohej egërsisht. Kështu u persekutuan shkrimtarët dhe artistët e poshtëshënuar:
***
Një vend të veçantë në persekutimin barabar komunist në Shqipëri renditet ekzekutimi i 4 poetëve të rinj të pafajshëm, që nuk ka ndodhur në asnjë vend të bllokut komunist të Evropës Lindore. Ata ishin:
Poet dhe kundërshtar i hapur i luftës kundër besimeve fetare. Në vitin 1966 arratiset në Jugosllavi, po kthehet nga UDB-ja Jugosllave. Pasi vuan 15 vjet burgim në Spaç, lirohet dhe internohet përjetësisht në katundin Arës të Kukësit. Arrestohet në vitin 1988, për largim nga vendi i internimit dhe dënohet me vdekje në litar, për të tmerruar komunitetin kuksian. Vetëm të marrët vrasin poetët. Udhëheqja komuniste shqiptare, nuk ishte vetëm kriminele, por dhe delirantë.
***
Pas shembjes së diktaturës komuniste, u liruan nga burgjet me mijëra të burgosur politikë, që kishin përjetuar me dhjetëra vjet ferrin komunist. Mjaft prej tyre që kishin një farë talenti dhe iu krijuan kushtet dhe mundësitë, botuan libra me motive nga persekutimi gjysmëshekullor komunist.
“Sabotatorët” e naftës, Nafta shqiptare, ka qenë një nga vrimat e zeza të ekonomisë socialiste, që ka gëlltitur miliona dollarë, të pajustifikuara. Shoqëria “Anglo-Persian Kompani” e para kërkuese e naftës në Shqipëri, që në vitet 1920-1924, arriti në përfundim se territori shqiptar, kishte rezerva të vogla nafte, që nuk ia vlente të investohej për të. Prandaj “Anglo- Persian Kompani” ia shiti aksionet e saj të naftës në Shqipëri, shoqërisë italiane AGIP. Italianët, duke shfrytëzuar afërsinë gjeografike me burimet e naftës shqiptare, patën fitime të vogla duke vënë në shfrytëzim puset e naftës në Kuçovë dhe Patos. Për këtë ka meritë të veçantë gjeologu polak, me famë evropiane, Stanislav Zuber, i cili erdhi në Shqipëri në vitin 1936 i punësuar pranë shoqërisë AGIP. Zuberi, i dashuruar me Shqipërinë, u vendos në Kuçovë së bashku me bashkëshorten e tij gjeologen italiane, Matilda, e cila fatkeqësisht u vra në Kuçovë gjatë një bombardimi ajror anglo-amerikan, në fund të vitit 1943.
Në vitin 1946, Zuberi u arrestua si “sabotator” i naftës dhe si “agjent” i Fuqive Perëndimore. Ai hetohej për të treguar vendburimet e naftës, të arit, uraniumit në Ballkanin Perëndimor për të cilat interesohej posaçërisht qeveria Jugosllave, pasi Zuberi kishte bërë studime në vitet ’30-të, në territorin ballkanik.
Pas largimit të inxhinierëve sovjetikë të naftës, në fillim të viteve ’69, teknikëve dhe specialistëve shqiptarë në këtë fushë, iu ngarkua një barrë e rëndë për të mbajtur në efiçencë puset e naftës dhe për gjetjen e vendburimeve të reja. Ata punuan ditën dhe natën në kushte tepër të vështira, me pagesa shumë të ulta, në një trysni të vazhdueshme frikësimi. Në vitin 1974, në sajë të punës vetëmohuese të specialistëve të naftës, prodhimi i saj, arriti kuotën më të lartë, që ishte prodhuar në Shqipëri pas vitit 1945. Për këtë arritje, u shtruan darka dhe dreka dhe u dekoruan me medaljet më të larta të Republikës shumë inxhinierë dhe teknikë të naftës të asaj kohe. Nuk kishte kaluar as tre muaj nga lavdërimet dhe dekorimet që u thanë në mbrëmjet solemne kur fajtorët pa faj i lidhën me pranga dhe i rrasën në qelitë e errëta të burgjeve të diktaturës.
U arrestuan inxhinierët: Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Mynyr Arapi, Beqir Alia, Protoko Murati, Dhimiter Stefa, Teki Biçaku, Niko Koçobashi, Enriko Veizi, Petraq Xhaçka, Petrit Sadushi, Kadri Rama, Thanas Nasho, etj. U arrestua dhe drejtori i Institutit të Naftës, Lipe Nashi, një ish-punëtor i zgjuar me origjinë nga Përmeti, që “Partia” e ngriti deri në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Naftës dhe pas disa vjetësh e bëri “kokë turku”, duke e dënuar 25 vjet në burgjet e komunizmit. Të arrestuarit iu nënshtruan një hetuesie intensive, ku përdoreshin të gjitha llojet e torturave, për t’iu marrë pohimin se kishin sabotuar në prodhimin e naftës sipas udhëzimeve të agjenturave sovjetike dhe anglo-amerikane. Hetimet i drejtonin hetuesit Rustem Ajazi, Pajtim Lame, etj., xhelatë të gatshëm, për t’iu marrë shpirtin cilitdo, që urdhëronte partia-shtet. U dënua me vdekje dhe u ekzekutuan inxhinierët: Xhavit Sallaku, Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli, ndërsa të tjerët u dënuan me dënime të rënda, që shkonin nga 10-15 vjet burgim.
Krahas anës së dukshme të këtyre proceseve të trilluar, pa asnjë fakt real, mbrapa fasadës, ishin anët e padukshme dhe të pa pasqyruara në proceset e falsifikuara të hetuesve xhelatë. Profesorin e gjeologjisë, inxhinierin e talentuar, Tomi Kriston, e thërrisnin në orët e vona të natës, në qelitë e burgjeve të Tiranës, për të dëshmuar kundër kolegëve të tij dhe për t’i akuzuar ata si “sabotatorë” dhe “agjentë”. Tomit i tregonin njerëz që torturoheshin me hekur të skuqur, ose të varur kokëposhtë në çengela, duke i bërë presion se ashtu do ta pësonte dhe ai, në qoftë se nuk pranonte të dëshmonte atë që kërkonin hetuesit mizorë. Ja se ç’më ka treguar shoku im Prof. Dr. Muharrem Seseri, shok i Tomi Kristos: “Gjatë kohës që zhvillohej hetuesia e inxhinierëve të naftës, ku pjesën më të madhe të tyre e njihnin dhe e kishin kolegë, Tomi u tjetërsua nga pamja dhe të folurit. Mundohesha t’i nxirrja ndonjë fjalë, për shkakun që e mundonte, por ishte e pamundur. Pas disa javësh, Tomi i shkëlqyer dhe i ndershëm, vendosi t’i jepte fund jetës, se sa t’u dilte dëshmitar i rremë kolegëve të tij të naftës. Piu helmin dhe mbylli sytë për gjithmonë, duke ikur nga kjo botë, si një martir i ndershmërisë. Askush nuk nuk u ngarkua me faj për vdekjen e Prof. Dr. Tomi Kristos”.