BLOG, 22 Gusht 2023, 17:28

Problemet e rënda me hipotekat, si këmbanë alarmi

Problemet e rënda me hipotekat, si këmbanë alarmi

Problemet e rënda që po ndodhin me hipotekat që kur kanë kaluar si shërbime në e-Albania, janë vetëm maja e ajsbergut e asaj që mund të ndodhë kur kalohen të gjitha shërbimet shtetërore online.

Kalimi i çdo shërbimi në e-Albania ka avantazhe për shpejtësinë e shërbimit, por ka dhe rreziqet e veta për të cilat pak flitet.

E para ka të bëjë me mosmbajtjen e përgjegjësisë. Ti kërkon shërbim dhe ai nuk të jepet me justifikimin "ka ndodhur diçka më sistemin, jemi duke e rregulluar". Kush mban përgjegjësi që ti nuk po merr shërbimin? Ti mund të humbësh afate ligjore ndërkohë që nuk është faji yt se ti ke aplikuar në kohë. Por ndërkohë humbja e afateve ligjore sjell pasoja për ty. Por dhe thjesht mosmarrja e një vërtetimi mund të të pengojë në kryerjen e një veprimi.  Kush do i paguajë kostot që mund të vijnë nga kjo situatë?

Në Kodin Administrativ aktual teorikisht mund t'i drejtohesh gjykatës që ta detyrosh organin të nxjerrë shkresën që kërkon brenda 30 ditëve, por nëse gjithshka kalon online dhe vetë organi administrativ thotë unë punoj vetëm online, piji lëngun kësaj pjese të Kodit Administrativ se nuk të hyn më në punë. Megjithëse ti ke kryer veprimet e tua ne rregull, askush tjetër nuk mban përgjegjësi, ti do i vuash pasojat dhe nuk ke as ku ankohesh.

E dyta ka të bëjë me abuzimin që mund t'i behet të dhënave të tua në sistem, pa dijeninë tende. Dikush aty brenda sistemit mund ta kaloj hipotekën e shtëpisë tende në emër të tjetërkujt e pastaj ai tjetri nxjerr certifikatë online sikur është prona e vet, e shet dhe hajt mirupafshim. Dhe ti as nuk ia ke haberin. Këto numra me hipotekën janë bërë atëherë kur duheshin një barrë me letra e procedura e jo me tani me thjesht dy klikime në PC.

E treta ka të bëjë me sigurinë e të dhënave. Lista e rrogave, lista e bashkëpunëtorëve të policisë apo SHISH, sistemi TIMS, lista e kompanive më borxhe në tatime etj etj. Janë plot shembuj që informacioni në Shqipëri vidhet sistematikisht. Nëse çdo gjë e kalon online atëherë të gjithë të dhënat e tua personale, familjes, fëmijëve të tu, llogaritë bankare, kartat e kreditit dhe debitit me të cilat ti bën pagesat apo kryen transaksione, do të jenë në një databaze e cila siç kemi parë shpesh herë vidhet nga hakeri iranian i radhës dhe herë vidhet nga vetë administratori i sistemit. Gjithë ky informacion mund të shitet në internet e shfrytëzohet nga kriminelë, për të dëmtuar ju, familjen tuaj fëmijët tuaj. Rreziku është real.

E katërta ka të bëjë me diçka më të madhe, që aktualisht po ndodh në Kinë, por në forma të ndryshme po shfaqet dhe në vende të tjera. Sistemi i Kreditit Social. Ky çdo qytetar merr pikë ose i hiqen pikë në bazë të sjelljes së tij dhe ata që janë problematike për qeverinë futen në blacklist, nuk marrin asnjë shërbim nga shteti dhe pengohen të kryejnë veprime. Me kalimin e gjithshkaje online nuk ke as ku të ankohesh. Praktikisht je në duart e një qeverisje elektronike. Një muri të ftohtë që nuk ke mundësi t'i bësh gjë. Që të detyron të sillesh siç do ai dhe të abuzojë me ty pa mbajtur asnjë përgjegjësi.

Duket si utopi futuristike, por realisht është duke ndodhur në Kinë dhe praktika e deritanishme e qeverive shqiptare për të abuzuar me pushtetin që kanë, pa mbajtur asnjë përgjegjësi, duke bërë favorizime apo diskriminime politike tek shtetasit e vet, e bën rrezikun më aktual.

Kështu që mirësevjen progres dhe automatizim ku gjithshka bëhet shpejt nga makinat (elektrike në këtë rast), por nëse nuk adresohen këto rreziqe, ato makineri nuk do punojnë më për ty, por do punojnë kundër teje.