TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mirëmbrëma dhe mirënjohje më të pakufishme për ju misionarë të vërtetë të lirisë, shpresës dhe dinjitetit.Një falënderim të përzemërt për oratorët e mrekullueshëm, të cilët me fjalimet e tyre sonte dhe çdo natë, frymëzojnë shqiptarët, prej 81 ditësh dhe netësh.
Të dashur miq!
Beteja pa kthim e opozitës shqiptare është një betejë historike. Edi Rama është sot armiku më shkatërrimtar që ka njohur Shqipëria në histori. Pasuritë e saj, i ka shndërruar në pasuri të veta dhe të klaneve të tij. Ai po shet përditë copa Shqipërie prej vitit 2015 me ligjin për Investimet Strategjike dhe pasi ua ka dhënë oligarkëve të vet, tashmë po blen edhe mbështetjen amerikane me trojet tona amtare.
Miqtë e mi!
Më lejoni të lexoj sonte para jush disa pjesë të vogla artikullin e botuar nga gazeta prestigjoze ‘New York Times’ për Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump.
‘Kushner dhe zonja Trump vizituan Shqipërinë dy herë që kur Donald Trump u largua nga detyra e presidentit. Ata udhëtuan vendin me Grenell, madje u takuan edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Kushner dhe Trump, së bashku me Grenell, janë fokusuar pjesërisht në Sazan, një ishull mesdhetar në jug të Shqipërisë që deri në fund të Luftës së Ftohtë ishte përdorur nga Bashkimi Sovjetik dhe nga komunistët. Qeveria e Shqipërisë si bazë ushtarake e fshehtë për nëndetëset.
Plani është që në ishull të ndërtohet një hotel dhe vila luksoze.
Ishulli i thyer prej dy miljesh katrore ka qindra bunkerë dhe tunele të epokës së Luftës së Ftohtë të projektuar për t’i bërë ballë sulmeve bërthamore dhe ka qenë kryesisht bosh që nga fundi i Bashkimit Sovjetik.
Grenell, një ish-bashkëpunues i Fox Neës dhe konsulent mediatik, ka punuar ngushtë me zotin Kushner dhe firmën e tij të investimeve. Madje Grenell ka qenë i zëshëm për përpjekjet e tij për t’i kthyer marrëdhëniet që ai ndërtoi në Shqipëri dhe gjetkë në Ballkan në përfitime personale.
Ai është kthyer vazhdimisht në rajon dhe është takuar me drejtues të industrisë së hotelerisë, si dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Grenell shtoi në një intervistë televizive gati 90-minutëshe në Shqipëri vitin e kaluar se nuk kishte asgjë të keqe me arritjen e marrëveshjes së tij, sepse ai tani ishte jashtë qeverisë. Kushner dhe Grenell kanë bashkëpunuar ngushtë me një miliarder ekzekutiv biznesi shqiptar të quajtur Shefqet Kastrati dhe djalin e tij, Musa Kastrati’.
Të dashur miq!
Edi Rama me reformën e tij në drejtësi ka krijuar mburojën më të tmerrshme gjyqësore, prokuroriale të vjedhjeve të tij monstruoze dhe qeverisë së tij. Nuk ka asnjë proces ndaj asnjë personi që nuk përcaktohet nga Edi Rama. Karakteri i kësaj drejtësie sot është më kriminali që ka ekzistuar që nga mesi i diktaturës.
Çdo vendim shkruhet në zyrat e Edi Ramës dhe dërgohet në SKAP, apo në gjykatë.
Ndërkohë, SKAP-i dhe gjykata janë të mbushur me anëtarë, me grupe të strukturuara kriminale, me llum njerëzor, ua them unë ju këtu.
Meqë jam këtu para jush, në emër tuaj dhe për ju, do i çoj një mesazh asaj gjykatëses Gjoka-Maneku, Maneku-Gjoka.
Mesazhi im është ky: edhe njëherë, je përzënë nga ndonjë vend për aktivitete llumi? Thuaju shqiptarëve. Turp të kesh! Turp të kesh, të them. Turp të kesh! E marrë peng nga Edi Rama dhe zbaton si mercenare urdhrat e tij. Je turp i drejtësisë, turp i Shqipërisë.
Miqtë e mi!
Pak ditë më parë në parlament nuk votuan deputetët. Votuan trafikantët e drogës që shëmtojnë Tiranën me monumentet e drogës dhe korrupsionit, me kullat e drogës dhe korrupsionit dhe që fryjnë me qindra milionë euro kontot bankare të Edi Ramës. U vendos që barbaria e tyre të vërshojë drejt trashëgimive tona qindra e mijëra vjeçare. Drejt parqeve tona, ishujve tanë.
Po pse? Vetëm e vetëm se Edi Rama në çdo ndërtim, në çdo leje merr përqindjen e tij.
Imagjinoni ju miq, a mund të imagjinoni ju miq një kryeministër në botë që firmos leje ndërtimi si për kullën 70-katëshe, edhe për ndërtesën dykatëshe të Karlo Bolinos. A ekziston kund në botë kjo? Ekziston vetëm aty ku gjithçka bëhet në funksion të xhepit të tij.
Sepse prapa firmës së tij, siç flitet rëndom, qëndrojnë të paktën 30 përqind e ndërtimit. Në 10 kate, 3 kate. Në 30 kate, 10 katet e Ramës. Kur bëhen 60, fut 20-katëshin në xhep. Por ai nuk lejon komisionet hetimore sepse ata do nxjerrin të gjitha këto në dritën e diellit.
Jam sonte këtu për të përshëndetur qytetarët e Beogradit që hodhën në kosh të plehrave projektin Kushner-Grenell për ndërtimin e 1500 dhomave hotelerike në zonën historike të qytetit nga një kompani e lidhur me investues arabë, si Alabbari që ka rrëmbyer portin e Durrësit për 3 miliardë euro, ndërsa shqiptarët do të paguajnë 400 milionë euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.
Të gjitha këto e bëjnë situatën në Shqipëri eksplozive. Qytetarët shqiptarë nuk mund të pranojnë të qëndrojnë duarkryq para akteve të tilla. PD do të përdorë të gjitha format për të kundërshtuar këtë plaçkitje të pronës publike më të çmuar që sot kanë shqiptarë. Ishulli i Sazanit është më i çmuar se çdo pronë tjetër publike në këtë vend.
Do i prijmë të gjitha nismave për dështimin e këtij projekti. Çdo kompani ndërtimi që merr pjesë në këtë projekt do të futet në listën e zezë dhe i paralajmëroj të mos shndërrohen në shushunja për të vjedhur një pronë publike të qytetarëve shqiptarë. Po regjistrohen nënkontraktore tani në Vlorë.
Afera e ishullit të Sazanit është një aferë që vetëm toka është mbi 10 mld euro. Është një aferë që Rama e ka ndërmarrë për pushtetin dhe xhepat e tij. Nuk është pyetur as një qytetar i Vlorë dhe Shqipërisë. Po shkelen të gjitha rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare të tenderimeve. Kjo sepse të gjitha janë të Edi dhe Olsi Ramës, kësaj bande të rrezikshme anti-shqiptare që është vërsulur me tërbim ndaj pasurive të këtij populli.
Në këtë mega aferë Rama ka shkelmuar në mënyrë flagrante nenet 70, 71 dhe 74 të MSA-së. Ato i imponojnë Shqipërisë respektimin e rregullave të konkurrencës. Me këtë megaaferë Rama ka privuar Shqipërinë nga ishulli i saj mijëravjeçar, por edhe BE-në dhe NATO-n. Rama bëri përpjekje të turpshme në këtë kohë kur hijet e zeza të luftë vërtiten në Evropë, Ballkan e më gjerë prej planeve të errëta të Putinit. Në vend që t’ia jepte NATO-s, por ia dhuron Kushnerit dhe Grenellit.
Shqipëria nuk ka asnjë pasuri publike të çmuar sa ishulli i Sazanit. Asnjë! Ishulli i Sazanit është pasuria publike numër një e kombit shqiptar. Kaskadën po e nxore në treg nuk ka vlerë në treg as sa gjysma e tij. Aeroportin po e nxore në treg, nuk ka vlerë as sa një e treta e tij.
Kjo është një gjë që shqiptarët nuk mund ta pranojnë kurrë, ndaj dhe ne do bëjmë betejën më të fuqishme ligjore, por do jetë një betejë me protesta, që nuk mund të kenë të ndalur.
Duhet t’i dalim zot në emër të çdo shqiptari që e do këtë vend, që vendos të jetojë në këtë vend, që po vuan dhe mezi e përballon jetën, por edhe në emër të atyre që po ikin për këto arsye.
Miq të dashur!
Sot, në fjalën e mbajtur para klanit të Rilindjes soroiste Rama konfirmoi dhe mbrojti atë që doli në mediat ndërkombëtare në lidhje me planet për investime të dhëndrit të Doland Trump në ishullin e Sazanit.
Të mbrosh apo të jesh i hapur për investime të huaja është një gjë tjetër, dhe të mashtrosh e të sulmosh çdokënd që ve në dyshim vendimet e tij si kryeministër, është diçka krejtësisht tjetër.
Pas konfirmimit të lajmit për investimin e mundshëm në Sazan, Rama mashtroi kur tha se Sazani nuk ka qënë kurrë Zonë e Mbrojtur, përveç se ushtarëve të Enver Hoxhës. Ja çfarë u tha ai shurdh-memecëve të asamblesë:
“Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-Presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të realizuar dy investime të mëdha turistike në Shqipëri. Po ata që deri dje na tregonin Malin e Zi si shembull të paarritshëm për investimet e huaja direkte, sot flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.
Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveç se ushtarëve të Enver Hoxhës që vëzhgonin me dylbi zbarkimin e flotës së 7 amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Hija e ish-presidentit amerikan, i pengon ata më gojështhururit t’i bashkëngjiten këtyre zërave për mua, djali i paudhë që doli nga thesi i parave të Sorosit, me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit’.
Gënjen dhe mashtron, përsëri dhe përsëri.
Karaburun-Sazan është e vetmja Zonë e Mbrojtur Detare në Republikën e Shqipërisë dhe e kam shpallur unë kur isha kryeministri juaj me vendimin nr. 289, datë 28.04.2010 i Këshillit të Ministrave, që e përcaktonte si të vetmin Park Kombëtar Detar, një mrekulli e gjallë e natyrës Shqiptare. Ky park konsiderohet si shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare mes tyre kemi dhe specie të cilat i përkasin listave të llojeve të rrezikuara.
Por edhe vetë Edi Rama, në vitin 2022, me një vendim qeverie e ka zgjeruar ekosistemin ujor/detar “Karaburun-Sazan”, i shpallur “park kombëtar detar” (kategoria II), me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.01.2022 zgjerohet nga 12 428 ha në 12 437.7 ha.
Por i verbuar nga miliarda dollarët e korrupsionit Edi Rama mashtroi për ligjin për Zonat e Mbrojtura, një ligj që shkatërron përfundimisht jo vetëm Karaburun-Sazan, por shumë perla të natyrës shqiptare, duke filluar nga Divjaka, Kune-Vain e kudo ku ka patur Zona të Mbrojtura.
Miqtë e mi!
Për herë të parë në 111 vite qe nga Konferenca e Londrës, kufijtë e Shqipërisë ndryshohen, rrudhen dhe Shqipëria zvogëlohet.
Atë që gjitoni ynë jugor nuk e realizoi dot në territorin tokësor 110 vjet më parë me shpalljen e Republikës së Vorioepirit nga Jorgo Kristaq Zografi dhe ushtritë dhe hordhite e tij, e realizoi çifti Kushner-Grenell me Edvin Kristaq Ramën apo Zografin Bis në aktin e tradhëtisë më të lartë kombëtare pas asaj të Enver Hoxhës me Kosovën.
Ky është një akt i mirëfilltë i shumëfishtë i tradhëtisë së lartë kombëtare nga Edvin Kristaq Zografi.
Por ne do ta çojmë deri në fund amanetin e Ismail Qemalit se “Sazan e Karaburunë janë vatanet e mia” se, nëse nuk bëheshin realitet, ashtu sikurse e thotë dhe populli, kurrë s’do të mund t’i treteshin kockat.
Mirënjohje për ju!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Sazani!
Rroftë Liria!
*P.S. Ky material u përgatit me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Çdo ngjasim me persona dhe situata reale është i rastësishëm