BLOG, 23 Tetor 2022, 16:28

Pse vdiq Lear Kurti?

Pse vdiq Lear Kurti?

Si njeri i fushës së ligjit kur bëhet fjalë për ngjarje policore kam gjykuar se duhet folur bazuar në fakte. Përmbahem në çastet e para e nuk nxitohem. Pas më shumë se 48 orë nga ngjarja, tashmë në lidhje me humbjen e jetës së 32 vjeçarit Lear Kurti ka fakte mbi të cilat mund të bëjmë një analizë e të ngremë disa pyetje:

1. Rezulton se nga informacioni policor i referuar zyrtarisht nga Policia e Shtetit (si media ka publikuar) pas ngjarjes është pretenduar se:

"Në datën 19.10.2022 ora 23.07 pranë market "Lufra" në rrugën "Riza Çuka" gjatë patrullimit punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr.3 kanë konstatuar një person të dyshimtë duke qëndruar përpara këtij marketi."

Ky informacion policor pas publikimit të pamjeve filmike nga Euronews Albania rezulton i pavërtetë.

Nga pamjet e publikuara nga media duket qartë që shtetasi Lear Kurti ka qenë duke ecur në rrugë dhe duke folur në telefon. Në asnjë çast nuk duket që sjellja e tij të lërë shkas për ta klasifikuar si person të dyshimtë. Në asnjë çast ai nuk ka qenë duke qëndruar përpara një marketi, por duke ecur në rrugë të vetë.

Pyetje: Përse duhet të thotë të pavërteta Policia e Shtetit në lidhje me dinamikën e ngjarjes?

Përse një shtetas që ka qenë duke ecur në rrugë e duke folur në telefon është klasifikuar si person i dyshimtë dhe është vënë në ndjekje policore?

2. Rezulton se nga informacioni policor i referuar zyrtarisht nga Policia e Shtetit pas ngjarjes është pretenduar gjithashtu se:

"Për verifikimin e tij punonjësi i policisë D.H e ka pyetur për gjeneralitetet dhe adresën e banimit dhe pasi ka mësuar se quhej Lear Kurti dhe nuk ishte banor i zonës i ka kërkuar atij një dokument identifikimi, por në këtë moment ai është larguar me vrap. Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra ai është neutralizuar nga punonjësit e policisë dhe është shoqëruar në komisariat."

Ky informacion policor pas publikimit të pamjeve filmike rezulton të ketë mangësi pasi nga pamjet duket që shtetasi në fjalë i rrethuar nga disa punonjës policie ndodhet i shembur në tokë në gjendje të fikti. Një prej punonjësve të policisë e ngre, por duket se trupi i të riut është i këputur.

Pyetje:

Përse është dërguar në Komisariat dhe jo në spital një njeri që duket pa shenja jete?

Përse i janë vendosur pranga një personi të shoqëruar dhe aq më shumë në gjendje të fikti?

Përse nga pamjet në spital rezulton se në pjesën e ijeve të tij ka shenja që ngjajnë me ato të mavijosjes nga goditjet mekanike?

3. Nga të dhënat zyrtare rezulton se Lear Kurtit i është bërë autopsia brenda 5 orëve nga ngjarja. Babai tij ka pretenduar se nuk është lënë ta shikojë trupin e djalit.

Ligji Nr.7830 datë 15.06.1994 "Për autopsinë" në nenin 2 përcakton se: "Autopsia që mund të jetë anatomo-patologjike ose mjekoligjore nuk mund të kryhet pa kaluar 12 orë nga çasti i vdekjes. Në raste të jashtëzakonshme autopsia mund të bëhet edhe në një interval kohe më të shkurtër, por jo më parë se katër orë pas vdekjes dhe vetëm pasi vdekja të jetë vërtetuar nga dy mjekë."

Ka arsye pse autopsia bëhet pas kalimit të 12 orëve. Koha bën që hematomat të bëhen të dukshme e për pasojë rezultatet e autopsisë të jenë më të plota. Gjithashtu koha shërben që të vërtetohet dhe vdekja.

Pyetje:

Përse është shkelur ligji Nr.7830 datë 15.06.1994 "Për autopsinë" në nenin 2?

Përse nuk është lejuar babai ta shikojë trupin e tij para autopsisë?

Përse është nxituar me bërjen e autopsisë duke shkelur ligjin?

Cila ishte rrethana e jashtëzakonshme që të detyronte kryerjen e autopsisë përpara afatit të përcakuar nga ligji?

Në orën 18.00 është thirrur protestë. Sa kohë nuk ka përgjigje përsa pyeta ka vend për të kërkuar përgjigje.