TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

E mbaj mend si tani tim atë që endej nëpër korridoret e QSUT-së për të gjetur dikë që mund të na siguronte radhë për rezonancën magnetike dhe EEG. "Është shumë vështirë" thoshin mjekët, "nuk ka radhë së afërmi, është prishur aparatura", e lloj lloj justifikimi. Ishte hera ime e parë nëpër korridoret e spitalit të madh të kryeqytetit, isha 14 vjeç. Mbaj mend ato korridore plot me njerëz të këputur që askush nuk u afrohej. Dukej si gjendje lufte, edhe pse jashtë ishte një ditë e zakonshme dhjetori.
Mbas pak ditësh, të njohur mbas të njohuri, me disa "ndere", radha u lirua dhe aparatura u rregullua si me magji. Në fund të kontrollit, radiologu na dha një disk e disa fletë edhe tha "shkoni gjeni dikë që t'jua lexojë". Në qendrën më të madhe spitalore në Shqipëri, kompjuterët e doktorëve nuk kishin "Nero", një program bazik që lexon CD dhe DVD.
Mjeku i parë me të cili prindërit u përballën atëherë ishte neurologu Drini Dobi. Na e sugjeruan për burrë babaxhan. Për tre vite me radhë, doktor Drini më ka mjekuar me "Depakine", ilaç që merret nga njerëzit që vuajnë nga epilepsia. Çdo vizitë e doktor Drinit, edhe pse në spital publik, kushtonte shtrenjtë. Mbaj mend një nga herët, kur im atë i dha dy njëzetëmijëlëkëshe që kishte dhe ai gjithë arrogancë i tha "kaq nuk më bëri rruga që erdha". Vizitat ishin çdo të enjte, kati i dytë në fund të korridorit, tek e cila kishte dy dyerë, një për ata që paguante sekserin në korridor dhe tjetra për hallexhinjtë që nuk hapej pothuajse asnjëherë.
Për tre vite doktori nuk e na tha kurrë se çfarë kisha, por vetëm na jepte mjekimin. Heshtja e doktorit dhe efektet anësore të këtij mjekimi na bënë të kërkonim një mjek të ri.
Dikush na sugjeroi doktoreshë Jera Kruja, asokohe edhe Rektore e Universitetit të Mjekësisë.
Që në telefonatën e parë doktoresha na u përgjigj, "shpirt, mua në spital nuk më gjen dot se jam shumë e ngarkuar, por mbas orës 4 jam tek klinika ime", që me sa mbaj mend ishin dy hyrje të katit të parë të një pallati parafabrikat, diku afër Gjimnazit "Çajupi".
Mbas vizitës me disa pyetje të përgjithshme dhe një EEG të bërë në klinikën e saj private, doktoresh Jera tha se nuk kam epilepsi, por migrenë. Prandaj më dha një kalendar për të shënuar dhimbjet e kokës dhe ilaçin "Imigran 50". E mbaj mend si tani, tim atë që qëndronte përpara sekretares që mblidhte lekët si kambist.
Mbas disa muajsh me mjekimin e doktoresh Jerës, shëndeti im filloi të përkeqësohej, sa herë që shkonim tek doktoreshë Jera, përgjigja ishte e njëjtë, "vazhdo mjekimin se do të kaloj", "mbaj shënim ditët e dhimbjes së kokës" dhe "faleminderit, llogaria tek sekretarja".
Do të ishte këmbëngulja e dajos tim të madh për të më marrë në Athinë, ajo që do t'i jepte fund udhëtimit 4 vjeçarë nëpër spitalet publike dhe klinikat private të Tiranës.
Sapo pa CD e para 4 viteve, doktori grek tha "mos u shqetësoni, dallohet qartë, në anën e djathtë të trurit ka një kist, nuk ka as epilepsi, as migrenë. Ky kist duhet mbajtur i mjekuar deri në moshën 27 vjeçe sa të përthahet, në të kundërt duhet ndërhyrje. Depakinën duhet ta ndërpresë, këtu kemi 12 vite që nuk e përdorim, sepse është ilaç i gjeneratës së vjetër. Duhet të marrë "Keppra" dhe çdo 6 muaj duhet të bëjë analizat e gjakut, sepse ka njerëz që u ndikon për keq ky mjekim."
Shtatorin e shkuar ishte vizita e fundit që bëra, duhet të bëja një rezonancë të kokës, EEG dhe analizat e gjakut. Thashë po i bie njëherë telefonit të spitalit publik për të lënë një takim, m.q.s paguaj rregullisht sigurimet shëndetësore. Ishin të njëjtat përgjigje si para 13 vitesh, "aparatura nuk punon" dhe "ka shumë radhë". Nuk doja të paguaja nën dorë, jo vetëm për arsye parimore, por edhe sepse në Athinë, më binte më lirë, doktori e ka vetëm 30 euro vizitën. Ndëkohë që klinikat private në Athinë i kanë 40-50% më lirë çmimet se monopolet private të Tiranës.
Herën e fundit që kam qenë në spital publik ka qenë për të bërë një serum normal për të ndaluar të vjellat, nuk kishte shtretër për t'u ulur. Prandaj sa herë kisha diçka, merrja Kejdin, shok fëmijërie, i cili më vizitonte në shtëpi. Këtë vit Kejdi iku në Gjermani, jo se rrogën e kishte të ulët, por për të shpëtuar nga sistemi që të shndërron në përbindësh, si ata që kemi parë ditët e fundit.
Korrupsioni në Shqipëri nuk është problem i disa "drurëve të shtrembër". Nëse nuk vjedhin "shefat e mëdhenj" lart, nuk guxon askush poshtë ta çojë nëpër mend zhvatjen e tjetrit.
Ligji i fundit për autonominë spitalore, nuk është asgjë më pak se sa ligjërimi i korrupsionit. Mjeku mbas orarit zyrtar mund të punojë privatisht me pagesë në zyrën e spitalit publik. Ndërsa për më të pasurit ka "korsi preferenciale", pra paguaj më shumë, kalo më shpejt në radhë. Nëse je i varfër, të ndihmoftë Zoti!