BLOG, 11 Qershor 2024, 11:00

Koncerti që (nuk) dëshiroja nga Alban Skënderaj

Koncerti që (nuk) dëshiroja nga Alban Skënderaj

Pasi ishte lajmëruar shitja e biletave promocionale të koncertit të Alban Skënderajt, shkova në pikën e shitjes për të marrë dy bileta. Çmimi më i lirë ishte 4800 lekë. I bleva. Vështrimi i çuditur i dikujt pranë meje, nga shpejtësia me të cilën vendosa të paguaj, u pasua me një pyetje retorike: A ia vlen të shpenzosh kaq për Albanin? Nuk do t’jua zbuloj përgjigjen, por do të ndaj me ju disa mendime dhe mbi të gjitha si është dukur koncerti nga vendi im.
Siç është bërë zakon (aspak i mirë) koncertet nuk fillojnë asnjëherë në kohë. Kishte njerëz që kishin hyrë në stadium që kur ishin hapur dyert, pra në orën 18.00 ndërsa ora e lajmëruar e fillimit të koncertit ishte më 20.00. Pritja natyrisht nuk u ndje nga njerëzit që shpërthyen në foto, video, selfie e gjithcka tjetër deri në atë pikë sa na u desh të ngriheshim nga karriget për të mos qenë sfondi i përhershëm i atyre që ishin para nesh dhe që nuk ndalnin së pozuari. Ndërsa kamera e puthjeve shëtiti nëpër publik duke krijuar një atmosferë dashurie, humori dhe emocionesh. Diçka vlejti nga ajo pritje pasi një këngëtare me stil kauoboj mbushi stadiumin me një zë vërtet të bukur.
Pas numërimit mbrapsht në kor nga stadiumi, Albani nuk doli menjëherë në skenë, duke ulur paksa atmosferën e ndezur. Por kur vendin e zë kënga, detajet e vogla harrohen shpejt. Ishte bukur deri në momentin kur Albani filloi të fliste. Fjalët e tij shpesh nuk dëgjoheshin. Ndaj nëse ka ndonjë pasaktësi për sa do të shkruaj më poshtë, është gjithçka sipas asaj që është arritur të dëgjohet të paktën nga karrigia 48-ëshe e cila ndodhej në një nga tribunat anësore në fushë. Problemi i audios, vijoi gjatë gjithë koncertit, dhe nuk di t’ju them nëse ishte një problem teknik, apo një arsye tjetër. Do të qëndroj tek teknika sepse më vonë gjatë koncertit, një video e fëmijëve të Miriamit dhe Albanit që u shfaq në ekran nuk kishte zë. Gjithashtu dukej sikur herë pas here kufja e bezdiste këngëtarin për të komunikuar me publikun.
Edhe disa shënime për skenarin. Çalonte në krijimin e emocioneve, pasi fjalët apo situatat e krijuara shpesh nuk qëllonin në shenjë, sidomos kur kishte batuta humori. I vetmi çast prekës ku edhe vetë këngëtari u përlot ishte takimi i tij me një vajzë në tribunën qendrore, e cila kishte fituar betejën me vdekjen. Më i dështuari apo më zhgënjyesi, ishte propozimi i Alban Skënderajt për martesë civile me Miriam Camin. Në cilindo kuptim ta merrje pyetjen e tij: «A do t’i ndash pronat e tua me mua?” nuk mendoj se ishte e goditur. Kur këngëtari filloi të fliste për martesën, pritshmëria e publikut ishte ajo që mund të quhej një skenar i lexueshëm, pra një propozim romantik në skenë apo siç më tregonte më vonë dikush që po priste për një celebrim në skenë. Edhe pse një gjë jo aq befasuese në teori, nëse do të ishte realizuar bukur në praktikë (propozimi), do të kishte tingëlluar shumë më mirë se sa ajo pyetje e çuditshme. Ndoshta produksioni nuk ka dashur të përsërisë një propozim martese ne koncertin e vitit 2018, por gjithsesi atëherë bëherj fjalë për një propozim nga publiku. Disa pjesë të tjera të skenarit tingëlluan të ftohta, të paktën kështu erdhën deri tek unë.
Dhurimi i kitarës një djali në publik dhe fotot e admiruesve që u përzgjodhën për të bërë videon e këngës “Unë dhe ti” ishin gjithësesi të këndshme. Personalisht mendoj se fotot e përzgjedhura nuk përputheshin aq me tekstin e këngës, ku përshkruhet një çift i vjetër që ka kaluar shumë stuhi në jetë, pasi pjesa më e madhe e fotove të publikut ishin nga ato poza të superkuruara dasmash, ndoshta çifte që akoma nuk kanë provuar se ç’do të thotë të ndash një kafshatë buke. Por ia vlen të duartrokasësh këta të rinj janë të bindur që do të kalojnë së bashku edhe ditët e vështira. Dashuria kalon çdo pengesë! Ndaj idea për të bërë pjesë të koncertit edhe një pjesë të publikut është mikluese dhe motivuese për admiruesit. Ajo pasuron atmosferën e koncertit me emocione.
Le të flasim për efektet skenike dhe skenografinë. Piroteknika dhe byzylykët në duart e njerëzve krijuan vërtet një atmosferë të bukur, të tillë që kur xhirohet me dron apo me celular, i bën të vuajnë ata nuk ishin të pranishëm në Air Albania. Por vetëm kaq. Ekranet e mëdha ishin një skenë monotone pa asnjë simbolikë që do të pasuronte artistikisht koncertin. Për më tepër në dy ekranet anësore pak transmetohej nga pjesa e videove apo xhirimeve që shfaqeshin në ekranin qendror. Disa topa që kaloheshin në publik krijuan një lojë interesante, por njerëzit filluan të luanin aq gjatë me to, sa kam përshtypjen se e harruan se çfarë po ndodhte në skenë. Si një lëvizje e mbetur në tentativë dukej edhe futja e disa topave të tjerë që simbolizonin planetet.
Përgjithësisht elementi i befasisë që rrit adrenalinën e koncertit nuk ishte i plotë. Natyrisht duhet mbajtur mend që Albani ndonëse me këngët e viteve të fundit ka sjellë edhe muzikën ritmike, në thelb është këngëtari magjik i baladave dhe për pasojë elementët e spektaklit për një koncert të përmasave të tilla nuk janë të lehta për t’u realizuar. Por pikërisht për këtë specifikë, ky lloj koncerti kërkonte më shumë krijim dhe kjo nuk mund të lihej vetëm në dorë të këngëve ritmike me të cilat vetë këngëtari i theksonte publikut se mbrëmja e 6 qershorit nuk ishte për qëndruar ulur në karrige, por për të festuar dhe kërcyer.
Dy fjalë për këngët e Alban Skënderajt. Ato ishin përzgjedhur me kujdes, por nuk kuptohej saktësisht filli lidhës i tyre, pra një karrierë 20-vjeçare nëpër të cilën këngët janë krijuar dhe kanë fiksuar etapat e karrierës muzikore. Nuk kuptohej qartë udhëtimi i këngëtarit dhe ndryshimet e tij në kalimin e viteve, për t’u lidhur me titullin e koncertit “Motiv 2024” dhe realisht prisja ndonjë version të ndryshuar të ndonjë kënge për hir të koncertit.
Rerpetori ndërthurte këngët solo dhe duetet e këngëtarit me të tjerë. Këto të fundit i referohen një etape tjetër muzikore, por që me ndonjë përjashtim, nuk përfaqëson majat e shkëlqimit të Alban Skënderajt. Mendoj se është përpjekja e tij e vlerësueshme për t’iu përshtatur një terreni muzikor tashmë të stërfolur dhe stërkomentuar shqiptar për të cilin nuk po zgjatem sepse është një temë më vete. Këngët e tij solo, të qeta apo ritmike, janë suksesi i Albanit, jo vetëm për motivin muzikor, zërin e butë dhe të ëmbël, por edhe për tekstet e qarta, të cilat janë poetike dhe me një gjuhë të pastër dhe sidomos të kuptueshme. Kjo është gjurma e Alban Skënderajt në muzikën shqiptare deri më sot. Kësaj gjurme artistike autentike, i shtohet edhe imazhi i një familjeje artistësh të formuar jashtë vendit dhe të vendosur në Shqipëri. Ata gëzojnë simpatinë e publikut për jetën e tyre dhe modelin që përfaqësojnë. Këtë e tregon edhe prania e shumë familjeve me fëmijë të cilët qëndruan stoikë deri në mesnatë edhe pse fëmijët pas shumë kërcimesh në fushë, u lëshuan në tokë të rraskapitur. Kishte edhe gra shtatzëna, kështu që numri i zemrave që ndoqën koncertin mund të konsiderohet më shumë se 25 mijë.
Ishte entuziazmuese të shikoje gra dhe vajza, por edhe burra që këndonin e kërcenin. Dalloje mes njerëzve, një apo disa që kërcenin dikur të mos ekzistonte asgjë rreth e rrotull tyre. Është magjia e muzikës live, ajo që të bën të harrosh edhe gjërat që nuk shkojnë, jo sepse ti nuk i di apo nuk i kupton "ngecjet", por sepse me vullnetin tënd të lirë ti ke dëshirë zhytesh në botën e muzikës aq shumë sa edhe këngëtari vetë ndalon për të dëgjuar publikun që këndon. Kjo ishte pjesa më magjike e koncertit!
Këtë mund të kundroje nga karrigia 48-ëshe. Ajo ishte një karrige më e shtrenjtë se ulëset e stadiumit, të cilat me sa më thanë kushtonin me çmim promocional 2 mijë lekë të rinj. Por edhe pse më e shtrenjtë, dhe më afër skenës, nga ajo karrige, madje edhe disa metra më parë saj, nuk mund të shihje më shumë se 20 për qind të koncertit.
Pavarësisht kësaj apo sa shkrova më lart, problemet e shfaqura nuk zbehin meritat e këngëtarit, por vetëm theksojnë nevojën për më shumë kreativitet që shton emocionin dhe bukurinë e një koncerti live, që forcon lidhjen e drejtëpërdrejtë të këngëtarit me publikun, që e dallon nga çdo performancë e regjistruar në studio, që e bën atë një koncert plotësisht të paharrueshëm jo vetëm për këngëtarin, por edhe për publikun. Duhet të synojmë koncerte si ai që Vasco Rossi mbajti më 7 qershor, në San Siro. Publikun që e do këngëtarin e kemi, stadiumin që duhet e kemi, duhet më shumë për të çuar koncertin në nivele më të larta!