BLOG, 8 Qershor 2022, 18:27

Ishulli i Sazanit, pas pak muajsh!

Ishulli i Sazanit, pas pak muajsh!

Vetëm pak muaj më parë zjarri shkatërrimtar i Sazanit, bëri shkrumb e hi florën dhe faunën e ishullit, duke lënë pas një tokë të djegur e të zhuritur që si hyn në punë as dreqit, as të birit, madje as gjyshit me antiplumb.

Por falë investitorëve strategjik XY dhe politikës vizionare të qeverisë për thithjen e investimeve të huaja, ky ishull relike e luftës se ftohte, do të rivitalizohet. Do të jetë padyshim ishulli më spektakolar jo vetëm në Mesdhe por më i veçantë se çdo ishull tjetër mbi dhé!

Bunkerët e diktaturës do i lirojnë vendin komplekseve elitare turistike, jahtet do ankorohen në vend të katersiluruesve, zhurma e komunikimeve mors, do të zëvendësohet nga ferfellima e ruletave të kazinove, ndërsa në tunelet e nëndheshme të ishullit do të hapet muzeu i të arratisurve me not nga Shqipëria, notArt.

Ju sot ende shihni pasojat e zjarrit shkatërrimtar, ndërsa ripyllezimin do e kryejë kryetari i bashkisë së Vlorës që do të zëvendësojë këtë që nuk po i them as emrin.

Aeroporti Vlorës, por edhe ai i Sarandës do të jenë portet e reja të hyrjes. Sot është ditë e veçantë për vlonjatët e paduruar që e duan ishullin të pyllëzuar ashtu si ishte! Por nga ju kërkohet vetëm pak durim!

Nuk ka kohë për pushim. Sazani i rilindur. Ishulli që duam.