BLOG, 29 Qershor 2022, 15:11

Ditari i Mitro Çelës: Gafa e Filip Çakulit me kryeministrin e Greqisë Micotaqis

Ditari i Mitro Çelës: Gafa e Filip Çakulit me kryeministrin e

Dimër 91.

Në Tiranë, për herë të parë, mbërriti kryeministri i Greqisë, zoti Micotaqis.

Në fuqi ishte ende Ramiz Alia. Sigurimi i shtetit bënte ligjin dhe Maliqin.

Ishte ky sebepi, që Berisha parapëlqeu si përkthyes Filip Çakulin.

Për ta ndjekur sa më mirë debatin, duhet thënë se në atë mot, miku im, ende nuk ishte njohës i mirë i greqishtes edhe pse një ditë kishte shkëmbyer një replikë “me bereqet” me Abdi Baletën.

Abdiu: - Ti, Filip, je filo grek!

Filipi: - Jo i dashuri Baleta! Unë jam filo shqiptar dhe grek safi!

Por le të kthehemi te biseda mes liderit të PD-së dhe mikut nga Greqia.

Micotaqis: - Zoti Berisha! Duhet të tregoni një kujdes të veçantë për idhiotis?

Filipi, kur dëgjoi fjalën “idhiotis” ngurroi. Berisha e vështroi në dritë të syrit:

- Ç’pate?...

- Kryeministri grek më duket i lodhur nga politika. Thotë të kemi kujdes për idiotët?!...

- Meqë pyet, thuaji se kemi disa spitale për trajtimin e idiotëve. Një në Tiranë, një në Elbasan dhe një në Vlorë...

- Doktor! Pasi i numërova tre spitalet, ky më thotë, të të them se për idiotët duhet të krijoni kushte në të gjithë vendin...

- Thuaj: do ta vëmë si pikë të veçantë në programin elektoral të PD-së...

Kthehet Filipi në shtëpi. Gjënë e parë që bëri, hapi fjalorin. “Idhiot” në greqisht do të thotë pronarë!?...