BLOG, 20 Qershor 2022, 08:44

“Bashkimi Sovjetik mund ta pushtojë menjëherë Shqipërinë”- Deponimet e Dom Shtjefën Kurtit në hetuesi: Ai është një shtet…

 

“Bashkimi Sovjetik mund ta pushtojë menjëherë

       

 Bashkëpunim për shtetin dhe vetëm në interes të tij

                                                           Proces verbal

Në Tiranë, me 15 korrik 1970. Unë, Iljas Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtejfën Kurti.

Pyetje: Tregoni, çfarë është biseduar tjetër për çështjen e arratisjes jashtë shtetit në darkën që është bërë në dhomën tuaj?

Përgjigje: Çështja e arratisjes sonë jashtë shtetit, është biseduar ashtu sikurse e kam shpjeguar në proçeset e mija, por në lidhje me këtë çështje kam për të shtuar se, në darkën ose mbledhjen që u bë në dhomën time, kur ne bisedonim për t’u arratisur jashtë shtetit, në fillim duhet të kalonim në Jugosllavi dhe pastaj në Itali. Me sa me kujtohet, Zef Nishi ose Pjetër Biba, thanë se mund të na kthenin jugosllavët, por unë u thashë: Mos u bani merak për këtë punë, ai fat që do të më gjej mua, ai fat do t’u gjej edhe ju.

Lidhur me këtë çështje, kam patur parasysh se unë vazhdoja të mbaja shtetësinë jugosllave dhe, kur do të kaloja në Jugosllavi, jo vetëm unë do të isha i siguruar, por kjo do të bëhej mbështetje edhe për të tjerët. Se unë vazhdoj të mbaj shtetësinë jugosllave, kjo është e vërtetë, mbasi kur kam ardhur në Shqipëri në vitin 1930, nuk kam bërë shpërngulje, por jam arratisur nga Jugosllavia dhe kërkova strehim politik në Shqipëri. Më kujtohet se në atë vit kur kam ardh në Shqipëri, është bërë regjistrimi i përgjithshëm. Me këtë rast unë ndodhesha në Tiranë, u regjistrova si shtetas shqiptar. Pra, për në Shqipëri kam shtetësinë shqiptare, ndërsa për në Jugosllavi kam shtetësinë jugosllave.

Procesin, mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmosa.

Hetuesi                                                                                                    I arrestuari                                

Iljaz Haxhiaj                                                                                            Shtjefën Kurti    

                                                         Proces verbal

Në Tiranë, me 16 korrik 1970. Unë, Ilias Haxhiaj hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Vazhdoni te na jepni shpjegime për veprimtarinë armiqësore që keni zhvilluar kundër pushtetit?

Përgjigje: Në darkën që bëmë në dhomën time, ku aty kanë qenë Pjetër Biba, Mark (Bardhok) Marku dhe Zef Nishit u hap fjala për forcën e Bashkimit Sovjetik dhe për mundësitë që ka ai për ta pushtuar Shqipërinë, pavarësisht se çfarë ka thënë Mao Ce Duni për Shqipërinë, se në rast agresioni kundër Shqipërisë populli kinez nuk do të njohë as largësi as kufi për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, ne kemi thënë se Bashkimi Sovjetik mund ta pushtojë menjëherë Shqipërinë mbasi, ai është një shtet i fuqishëm, sidomos ushtarakisht, disponon mjete moderne luftarake, kurse Shqipëria këto nuk i ka.

Pjetër Biba, Bardhok Marku dhe Zef Nishi thanë, a do të jetë larg ajo ditë që Bashkimi Sovjetik dhe shtetet e tjera ta sulmojnë Shqipërinë dhe ta përmbysin këtë pushtet, pa le të shpëtojë kush të shpëtojë. Unë u thash se, përpara fuqisë së madhe, siç është Bashkimi Sovjetik, Shqipëria nuk mund t‘i rezitojë dhe menjëherë do të kapitullojë, kështu që ky regjim do të përmbyset, por megjithatë u thashë, ka mundësi që Bashkimi Sovjetik, për shkak të interesave të tij, të ndeshet në rezistencë nga shtetet e Europës Perëndimore, si nga Italia, Franca dhe Ingliterra, mbasi këtyre shteteve nuk u intereson që Bashkimi Sovjetik të dalë në Adriatik, prej nga më vonë mund të futet në Egje e Mesdhe.

Në kohën kur ndodhën ngjarjet në Çekosllovaki, Pjetër Biba më ka pyetur se ku ndodhet kjo dhe nëse është shtet i madh? Unë i thash se Çekosllovakia është kufi me Gjermanin Perëndimore e cila, ka pretendime ndaj Çekosllovakisë dhe për këtë arsye Bashkimi Sovjetik u fut në Çekosllovaki, megjithatë Bashkimi Sovjetik në Çekosllovaki, i ka dhanë liri fesë katolike dhe se atje katoliçizmi po lulëzon por, për mendimin tim, u thashë se regjimi i Dubçekut, mund të lejonte edhe më shumë zhvillimin e katolicizmit në Çekosllovaki dhe avash – avash, do të zhdukte komunizmin, gjë që do të influenconte edhe pushtetet e tjera, përfshi dhe Shqipërinë.

Më kujtohet se ka qenë në muajin janar 1970, Mark (Bardhok) Marku, kur ishim duke udhëtuar së bashku, unë për në shtëpi: Nuk duhet që të bisedosh me çdo njeri kundër pushtetit, mbasi mundet të të tradhtojnë, kurse me mua bisedo gjithçka, mbasi sikur të ma bëjnë mishin copë- copë, unë ty nuk të qes fjalë. Bëhej fjalë për një bisedë që kisha bë unë me Preng Sherrin, karrocier i kooperativës në një rast, kur unë isha duke udhëtuar me karrocën e tij dhe i thashë se po çuditem që ky popull, midis të cilit unë kam ardhur i pari famullitar dhe kam ndërtue kishën dhe qelën në Gurëz, tani nuk më ndihmon kurrkush, sikur dhe me një kokërr vezë.

I thashë çuditem që vdesin sa e sa njerëz dhe as njeriut nuk i bie ndër mend të më sjellë ndonjë lëmoshë për me i thanë ndonjë meshë, ndonjë uratë e të tjera shërbime fetare. Këtë bisedë, Prenga e kishte pasë biseduar me njerëz të tjerë dhe se Bardhoku e kishte marrë vesh dhe më foli mua në këtë rast. Unë e porosita Bardhokun që ky t’i fliste Prengës që, mos t’a hapte ma këtë fjalë. Bardhoku më tha që këtë punë do ta mbyll vetë. Ma vonë, kur e kam takuar Bardhokun, e kam pyetur nëse e kishte rregulluar atë punë dhe ai më tha: Rri rahat se kjo punë u rregullua.

Në bisedimet që kam patur me Pjetër Bibën dhe Bardhok Markun për çështjen e fesë, unë u kam thënë atyre se masa që u muar për zhdukjen e fesë në Shqipëri nuk ishte e drejtë, mbasi feja është një mjet ose një fre, për mos me e lan njeriun për me bë keq. Procesin, mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmos.

 Hetuesi                                                                                             I arrestuari                                

 Iljaz Haxhiaj                                                                                          Shtjefën Kurti    

                                                      Proces verbal

Në Tiranë, me 17 korrik 1970. Unë, Ilias Haxhiaj hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Ç’farë është biseduar tjetër në mbrëmjen, kur jeni mbledhur në dhomën tuaj?

Përgjigje: Nuk mbaj mend se kush nga këta të tre, Bardhoku,

Pjetri apo Zefi, më pyeti  për liritë demokratike në vendet e Perëndimit, nëse në ato vende ishte e ndaluar ose jo dëgjimi i radio stacioneve të huaja dhe unë u bisedova çështjet e mëposhtme: U thashë se në vendet Perëndimore njeriu gëzon të gjitha liritë demokratike dhe për të dëgjuar radiostacionet e huaja, mbasi atje, rendi politik ndryshon nga ky në Shqipëri. Ne këtu kemi një shtet totalitar, pa parti të tjera. Këtu në Shqipëri, nuk është i lirë njeriu që të zhvillojë mendimet e tij politike, se po të ishte kështu, do të kishte edhe parti të ndryshme, gjithkush sipas pikëpamjeve të veta; lirinë e organeve të veta, lirinë e mbledhjeve, lirinë e demonstratave, mitingjeve, lirinë me mbajt fjalime në radio, lirinë me organizue fushatën e zgjedhjeve, me votue ku të dojë, me pasë përfaqësuesit e vet në Parlament, lirinë me mbajt të drejtat e programit të partisë së tyre si dhe kur nuk i pëlqejnë veprimet e qeverisë, t’i kritikonte këto sipas programit të partisë. Të jenë të lira këto parti opozitare, që më i dhënë ose jo votëbesimin qeverisë në fuqi, pra, këto liri demokratike në Shqipëri nuk i kemi.

Në shtetet e tjera ka liri partish, të cilët janë në opozitë njëra pas tjetrës sipas pikëpamjeve politike dhe programit të shtruar nga secila. Ato kanë të drejtë me pas organin dhe shtypin e tyre, që të shkruajnë për ta mbrojtur programin e tyre, për të bindur popullin për vijën e tyre politike. Atyre, shteti në fuqi u garanton që të shkruajnë ato që mendojmë, të organizojnë mitingje si dhe mbledhje nëpër salla që qeveria i vë në dispozicion secilës parti. Atyre u jepet e drejta që të mbajnë fjalime në radio a televizor, kanë të drejtë të kritikojnë qeverinë në fuqi si dhe me ba koalicione ndërmjet partive, për me e kalue qeverinë në fuqi në votëbesim./Memorie.al