BLOG, 26 Mars 2025, 11:15

DITARI I 11 MAJIT (-47 ditë)/ Mesazhet urgjente të serialit “Adoleshenca” dhe dy prindër të shpifur si Rama dhe Basha

DITARI I 11 MAJIT (-47 ditë)/ Mesazhet urgjente të serialit
Basha, aktori Stefen Graham dhe Rama

Miniseriali britanik “Adoleshenca” po e lë gjurmën e tij në historinë e filmit dhe të ndikimit të kinematografisë në shoqëri. Prej disa ditësh miliona njerëz, shumica prindër, po i japin notën makimale filmit që tregon të vërtetat tronditëse të jetës së adoleshentëve në vitin 2025, krimet mes tyre, ato çka fshihen në mendjet, celularët, dhomat dhe mesazhet e emojit e rrjeteve sociale.

Historia e vrasjes së një vajze britanike nga 13-vjeçari Xhemi, është si historia e vrasjes tragjike të Martin Canit dhe të të tjerëve para tij, pas konflikteve me fjalë për postimet&reagimet në rrjetet sociale, fotove në Snapchat, reel-eve në TikTok, fotove +18 të hedhura në grupet e instagramit dhe të shpërndara më pas mes njëri-tjetrit.

Kritika e përkufizon si histori që hedh dritë mbi ndikimin gërryes të mediave sociale dhe influencuesve mizogjinistë te djemtë adoleshentë.

Është bota e sotme e globalizuar me të njëjtat problem të adoleshentëve si në periferinë e Londrës edhe në Tiranë, me një brez që u kemi dhënë celularin, kompjuterin, dhomën më vete dhe themi se janë të sigurtë, por që janë më të rrezikuar se kurrë. Ata janë në botën e dhunshme të rrjeteve sociale, të konflikteve për një emoji në Instagram, të rritur pa kohe dhe të pakontrolluar në emër të mosdiktatit ndaj fëmijës, ndërsa prindërit rropaten nëpër punëra nga mëngjesi në darkë, duke ua besuar krijesat e tyre armikut të shëndetit fizik dhe mendor: celularit dhe të fshehtat e frikshme që janë  brenda tij.

“Adoleshenca” është një manual përdorimi që duhet riparë dhe rilexuar nga çdo prind për të kuptuar se nuk mjaftojnë të mirat materiale për mirërritjen e fëmijës, por duhet folur me të për problemet në shkollë dhe jashtë saj, një guidë për stafet pedagogjike se si të bisedojnë me nxënësit që janë pre e bullizmit dhe të sjelljeve të papërshtatshme që ndikojnë në mënyrë të pakthyeshme jetët e tyre.

Ky manual shpëton jetë dhe që nesër të mos pyesë veten si aktori Stephen Graham në rolin e babait të zhytur në dëshpërim: “Ku gabova”, “pse nuk isha një prind i mirë”, apo “mund të kisha bërë më mirë”, siç ndodh me babanë e 13-vjeçarit vrasës së miniserialit “Adoleshenca” që është përfaqësuesi tipik i prindit të sotëm.

Të vërteta e frikshme dhe të dhimbshme të “Adoleshenca” shqetësuan edhe parlamentin britanik dhe deputetët u bënë thirrje autorëve që të diskutojnë sigurinë në internet në një seancë plenare të parlamentit.

“Kjo dhunë e kryer nga të rinjtë, e ndikuar nga ajo që ata shohin në internet, është një problem real, është e neveritshme. Dhe ne duhet të merremi me të. Ne po vendosim specialistë të përdhunimit dhe sulmeve seksuale në çdo forcë policie që punon në thirrjet e urgjencës. Por kjo është gjithashtu një çështje kulturore dhe besoj se është e rëndësishme që e gjithë Dhoma të trajtojë këtë problem në zhvillim dhe në rritje”, tha kryeministri britanik, Kier Starmer.

Po Shqipëria si do të reagojë ndaj kësaj?

Vendi është ende i tronditur nga vrasja macabre e 14-vjeçarit Martin Cani jashtë shkollës 9-vjeçare Fan S. Noli, por ka me dhjetra e qindra ngjarje me sherre të dhunshme mes adoleshentëve që nuk raportohen, kudo nëpër Shqipëri.

Si përgjigje ndaj dhunës, qeveria premtoi se do të mbyllë aplikacionin TikTok dhe u lau duart me tragjedinë e shkuar dhe të ardhshme.

Ndërkohë që Kier Starmer në Britani shpehet si më lart, Edi Rama, homologu i tij në Shqipëri, është zhytur në llumin e rrjeteve sociale dhe me kokën jashtë llapashitet ditë-natë duke tërhequr në batak edhe politikanin e mbetur pa parti, Lulzim Basha. Leksiku i tij është një mjerim: buf, kënetë, zhapikë, ndërsa Lulzim Basha, për të cilin kolegu Bushati thotë se nga lider u bë lodër, nuk ka tekst, por vetëm disa thirrje skizofrenike. Mesazhet e tyre janë dhuna, intimidimi, bullizmi, duke thyer çdo kod moral dhe zakonor në Shqipëri, thjesht për ta bërë sa më të shpifur fushatën elektorale. Por ata, përpara se të jenë politikanë, edhe pse përfaqësojnë këto ditë llumin e politikës, ata janë prindër: i pari prind i një djali adoleshent me gruan aktuale dhe i dyti, baba i dy vajzave të mitura. Jeta është shumë e gjatë se këto 6 javë që na ndajnë nga 11 maji. Le të mendojnë së pari se janë prindër dhe vendimmarrës për mijëra prindër të tjerë, dhe le të kuptojnë se asnjë prind nuk është i mbrojtur sot, ashtu siç na e tregon të vërtetën tronditëse “Adoleshenca”, që nesër të mos ngasherehen me dhimbje mbi arushin e mbetur mbi krevatin e fëmijës që s’do t’i kthehet kurrë më familjes.