BOTA, 3 August 2026, 13:18

Bilanc i rëndë nga zjarret në Europë, Financial Times: Miliarda euro dëme nga temperaturat ekstreme

Zjarret shkatërruese dhe vala e të nxehtit që kanë përfshirë Greqinë, Francën, Spanjën dhe zona të tjera të Europës kanë shkaktuar deri tani dëme me vlerë mbi 3 miliardë euro, sipas një analize të Financial Times.

Sipas të dhënave, rreth 5 milionë dynymë tokë (500 mijë hektarë) janë djegur vetëm gjatë dy muajve të parë të sezonit të rrezikut nga zjarret. Kostoja ekonomike për pesë vendet më të prekura të Eurozonës, mes tyre Greqia, Portugalia dhe Rumania, llogaritet në rreth 3.1 miliardë euro. Kjo shifër tejkalon edhe parashikimin mesatar vjetor të Komisionit Europian, i cili vlerësonte një ndikim prej rreth 2.5 miliardë eurosh në vit për të gjithë Bashkimin Europian.

Përllogaritjet bazohen në metodologjinë e Komisionit Europian dhe në vlerësimet e qeverisë franceze për kostot e “rikuperimit”, pra shpenzimet e nevojshme për rikthimin e zonave të djegura në gjendjen e mëparshme. Megjithatë, kostoja reale pritet të jetë shumë më e lartë. Kompanitë e sigurimeve, familjet dhe bizneset vijojnë të përllogarisin dëmet në banesa, kultura bujqësore dhe aktivitetin ekonomik, ndërsa sektori i turizmit përballet me pasiguri gjatë kulmit të sezonit veror.