BOTA, 2 August 2026, 10:13

Trump: SHBA pezullon sulmin ndaj Iranit nëse arrihet sa më shpejt një marrëveshje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se është i gatshëm të anulojë sulmet e planifikuara ndaj Iranit, me kusht që të arrihet menjëherë një marrëveshje me Teheranin.

Deklarata u publikua në platformën Truth Social, vetëm disa orë pasi mediat amerikane raportuan se SHBA po përgatitej për sulme të reja kundër Republikës Islamike.

Në mesazhin e tij, Trump tha se Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të gatshme për të ndërmarrë veprime ushtarake, duke theksuar se kapacitetet e tyre janë në nivele të papara që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas presidentit amerikan, SHBA ka marrë një kërkesë nga Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme për të shtyrë çdo veprim ushtarak, pasi, sipas tij, janë dakordësuar parametrat bazë të një marrëveshjeje.

 

Trump shtoi se marrëveshja duhet të përfshijë hapjen e menjëhershme dhe të plotë të Ngushticës së Hormuzit, si dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor të Iranit.

“Kam rënë dakord, për të mirën e ardhshme të botës dhe për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë, të anuloj sulmin, me kusht që të arrijmë shpejt një marrëveshje,” shkroi ai.

Në fund të mesazhit, Trump deklaroi se edhe Izraeli mbështet këtë qasje, duke u bërë thirrje palëve që të finalizojnë sa më shpejt marrëveshjen për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.