AKTUALITET, 11 Mars 2018, 08:46

Basha pranon dy privatizimet e dështuara të kabinetit “Berisha”, ja për cilat flet

Basha pranon dy privatizimet e dështuara të kabinetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pranoi se dy nga privatizimet më të rëndësishme të qeverisjes “Berisha”, ai për ARMO-n dhe CEZ-in ishin të dështuara.

Pjesëmarrës në konferencën (De)Rregullimi i Tregjeve, organizuar nga Forumi i Tiranës për Lirinë Ekonomike-Instituti Pashko, Basha theksoi se, pavarësisht, se ato privatizimet u nisën me qëllim për të mirën publike, rezultuan të dështuara.

“Është e vërtetë, privatizimi i ARMO-s dhe privatizimi i CEZ-it nuk dhanë rezultatet e dëshiruara. Por, nga ana tjetër, nuk ka asnjë krahasim me qëllimin për të arritur një rezultat me të mirë publike, që ishte në gjenezë privatizimi i ARMO-s dhe CEZ, të dyja të dështuara, absolutisht dhe qëllimit për të kapur çdo sektor të ekonomisë me duart e politikës dhe të një grushti njerëzish të lidhur me politikën”, tha Basha.

Kreu i PD-së deklaroi se 5 vitet e fundit kanë qenë 5 vite të humbura për Shqipërinë dhe se ka ardhur koha që nëpërmjet alternativës së Partisë Demokratike për çlirimin e tregjeve nga monopolet, shqiptarëve t’u kthehet vetëbesimi se Shqipëria mund të bëhet një vend i zhvilluar.

“Shqipëria ka shënuar një rekord të paprecedentë për çdo vend postkomunist duke mos pasur asnjë investim të ri të huaj në këto 5 vite. Ku jemi me Shqipërinë? Çfarë investimi të huaj kemi thithur në mars, janar–mars 2016, 2017, 2015, 2014? Kaluan 5 vite dhe nuk ka një investim të huaj. Përkundrazi, ka ikur Sheratoni, ka ikur Glaxo Smith Kline, iku Onmix që do të ndërtonte resortin 400 milionë euro. Alternativa e PDsë për ringritjen e ekonomisë është çlirimi i tregjeve dhe ndalimi me ligj i monopoleve. Kjo është rruga e vetme për të kthyer vetëbesimin se shqiptarët janë në gjendje për të bërë vepra të mëdha”, deklaroi Basha.

BORXHI

Kreu i PD-së kujtoi se borxhi publik vijon të rritet, ndërkohë që qeveria pranon pastrimin e parave përmes PPP-ve. “Borxhi publik është një problem i madh për vendin, sepse është edhe ai i fshehuri, për të cilin foli edhe FMN-ja para pak ditësh. PPP-ja nuk është vetëm pastrimi i parave të pista, por është edhe borxh i fshehur publik. Çdo marrëdhënie e drejtpërdrejtë e qeverisë me një koncesionar është borxh për shqiptarët, të cilët do ta paguajnë për 10, 15, 20 apo 30 vjet. Kjo qeveri të kishte ulur borxhin publik të paktën dhe unë do të dilja i pari ta falënderoja. E ka rritur dhe vazhdon që ta rrisë. Mburren me uljen e euros, duke thënë se kanë ulur borxhin”, u shpreh kreu i PD-së.

Sipas Bashës, taksa progresive rezultoi e dështuar dhe vijon t’i marrë frymën ekonomisë. “Për shkak të vendimeve të gabuara me taksën progresive, që po i merr frymën ekonomisë, në Shqipëri të ardhurat nuk u realizuan asnjëherë këto 5 vitet e fundit, pavarësisht rritjes së taksave. Mosrealizimi për vitin e kaluar, 120 milionë dollarë, është rezultati i drejtpërdrejtë edhe i përqendrimit dhe krijimit të klientelës”, tha Basha.